Infrastrukturë
Programi “1 Miliard” i buxhetit 2018-të, ja rrugët që do të ndërtohen nga veriu në jug të Shqipërisë
“Kemi një buxhet 42 për qind më të lartë për financimin në infrastrukturë.” Kështu është shprehur kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në një takim me sipërmarrësit, ku është shprehur më tej për investimet në infrastrukturë dhe është ndalur në akset rrugore që do të ndërtohen duke nisur nga viti 2018.
“Së pari ne kemi një buxhet për vitin e ardhshëm 42 për qind më të lartë që nuk do të thotë pak edhe pse nuk është i mjaftueshëm. Projektet do të sjellin një transformim të zonave rurale me fokus zhvillimin e turizmit dhe agro-turizmit”.
Rama ka prezantuar edhe segmentet e rëndësishme që do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
-Së pari çuarja përpara e projektit te Unazës së Madhe të Tiranës qoftë me përfundimin e aksit verior, apo me transformimin rrënjësor te portat hyrëse të Tiranës
-By Passi i Tepelenës
-Do garantohet përfundimi i rrugës Korçë- Erseke
-Garantohet përfundimi i By Pass-it të Fierit dhe Vlorës
-Po finalizohet kontrata dhe do të fillojë puna në terren për Rrugën e Arbrit
Kryeministri Rama përveç financimeve në buxhet është shprehur edhe për investimet nga programi “1 Miliard për Rindërtim”, ku theksoi se “do të çohet para një financim masiv, duke krijuar më shumë vende pune.”
-Do të ndërtohet aksi Milot- Balldren
-Do ndërtohet aksi Thumanë- Vorë- Tiranë
-Do ndërtohet aksi Kardhiq-Delvinë
-Kashar-Rrogozhinë me kombinim Plepa deri në Vlorë
Projektet e tjera në infrastrukturë
Kryeministri është ndalur më tej edhe në projektet e tjera në infrastrukturë.
“Një program tjetër fillon me buxhetin, me mbështetjen e BB dhe BERZH, i cili do të shtyjë përpara programin e Rilindjes Urbane duke synuar rritjen e kapaciteteve për zhvillimin turistik. Konkretisht do të nisim me ndërtimin e rrugë së Thethit, madje do të ketë një paketë financimi që do të stimulojë zonën. Duke pasur parasysh këtë strategji jemi angazhuar të nxisim sipërmarrjen të shikojë investimin me hotele në zonë. Do të rindërtojmë vijën në liqenit të Shkodrës, si dhe kemi një projekt për lundrueshmerinë në lumin Bunë. Po ashtu do të ndërtojmë aksin që lidh Shëngjinin me Velipojën.”
Rama ka përmendur edhe investimet në Durrës, Vlorë dhe Fier.
“Duhet te ndërhyjmë seriozisht ne zonën e plazhit të Durrësit ku ka zhvillime të rëndësishme dhe investime në hoteleri por mungon infrastruktura. Do të financojmë të gjithë zonën e plazhit të Durrësit. Do të ndërtojmë aksin Fier- Seman, për t’i dhënë mundësi Fierit për dalje ne det. Do të vijojmë me ndërtimin e Bulevardit të Vlorës dhe qendrës së vjetër të këtij qyteti”, theksoi Rama.