Aktuale
BERZH i prish llogaritë Kosovës, rreziku vjen nga infrastruktura
Rreth 4% është trumbetuar të jetë rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2018 në Kosovë. Kohë më parë në intervistë për Ndërtimi.info, nga u.d. i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti u tha se rritja ekonomike parashihet të jetë 3.7%.
Mirëpo, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka turbulluar këto matematika. Raporti i tyre i fundit “Perspektiva Ekonomike Rajonale”, ka pasqyruar se parashikimi i normës së rritjes ekonomike në Kosovës është zvogëluar nga 3.7% në 3.5%, transmeton Ndertimi.info.
Megithatë, nga BERZH thuhet se ekonomia ka vazhduar të ketë performancë të mirë në vitin 2017, duke u përshpejtuar nga ritmi i rritjes që pati në vitin 2016.
“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, ekonomia u rrit me 4.2 për qind nga viti në vit, kryesisht e nxitur nga rritja e investimeve, por me kontribute pozitive edhe nga eksportet neto dhe konsumi privat”, thuhet në raport.
E për disiplonën fiskale, BERZH thotë se ka mbetur e fortë.
“Disiplina fiskale ka mbetur e fortë në kuadër të programit të FMN-së, i cili ka skaduar në gusht të 2017-tës. Si rezultat i ecurisë së fortë të ekonomisë, ne po e rrisim parashikimin tonë deri në 3.7 për qind në vitin 2017, pasuar me 3.5 për qind në vitin 2018”.
Megjithatë, rreziqet, sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përfshijnë vonesat e mundshme për projektet kryesore të infrastrukturës, të cilat janë vendimtare për qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë.