Aktuale
Ja si do të duket Kamza e së ardhmes – Projekti për sheshin dhe pedonalet e qytetit
Bashkia e Kamzës do të nisë shumë shpejt punimet për ndërtimin e sheshit të ri të këtij qytetit dhe pedonales, projekte të cilat do të transformojnë pamjen e Bashkisë së gjashtë më të madhe në vend.
Institucioni i pushtetit vendor njofton se është kryer tenderimi i projektit me vlerë 97.901.555 lekë dhe tashmë vetëm pritet të nisin punimet, afati i të cilave do të jetë 180 ditë nga data e lirimit të ndërtimit.
Sheshi i ri pranë Pallatit të Kulturës do të ketë një sipërfaqe prej 3963 metrash katrorë dhe simbolizon fazën e parë të ndryshimit të pamjes së qytetit. Përveç gjelbërimit (që përfshin mbjelljen e pemëve dekorative dhe luleve) dhe ndriçimit të bollshëm do të ketë një shatërvan, çezmë uji, kosha mbeturinash, etj.
Ndërkohë qyteti pajiset edhe me një shëtitore, e cila do të shtrihet përgjatë Bulevardit Blu, nga qendra e qytetit deri në kryqëzimin me rrugën “Londra”. Projekti i pedonales parashikon shtrimin me pllaka dekorative, pajisjen me stola, ndriçim, gjelbërim me pemë dhe lule, duke u kthyer kështu në një atraksion për qytetarët e Kamzës.
Bashkia në njoftimin zyrtar shprehet se këto investime mund të ishin realizuar që vitin e shkuar, pasi priti për një financim nga qeveria, i cili nuk erdhi. Bashkia Kamëz e quan këtë një veto qeveritare për shkak se janë refuzuar edhe 135 projekte të tjera të dërguara në Këshillin e Ministrave.
Vetëm për vitin 2017, janë 60 projekte infrastrukturore që po realizohen në Kamëz e Paskuqan.