Aktuale
ALARMANTE: Sot 7 ankesa nga punëtorët e ndërtimit dhe u shënua vdekja e 4-të brenda pak kohësh
Në ditën e sotme është shënuar edhe një vdekje në vendin e punës. Vdekja e 31 vjeçarit nga Istogu bëri që më pak se një muaj numri i të vdekurve në vendin e punës të arrijë në katër.
Shkaktar kryesor i këtyre vdekjeve po konsiderohen kushtet e rënda të punës. Këtë e thonë edhe nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve.
Kryetari kësaj sindikate, Jusuf Azemi ka thënë për Ndërtimi.info se ende nuk kanë diçka zyrtare për vdekjen e sotme të një punëtori.
Sipas tij, ky rast është i 18-i i vdekjes në vendin e punës brenda këtyre 10 muajve.
“Rasti i vdekjes së sotme, që nuk kam ende informacion zyrtar, është rasti i 18, që fatkeqësisht përmbyllet për 10 muaj. Ky është një shqetësim shumë i madh. Ne kemi bërë kërkesë tek kryeministri që të thirremi e të merremi me këtë tretman dhe të shpjegojmë për rastet që të intervenohet dhe së paku ta parandalojmë, ta vogëlojmë këtë numër”, ka thënë Azemi.
Duke i lidhur vdekjet e fundit me kushtet e punës, ai ka thënë se gjendja në terren është shumë e rëndë se sa shihet.
“Kushtet e punës janë tepër më të rënda me të këqija sesa në shikim të parë. Ne kemi identifikuar shumë kompani dhe është tmerr me i pa punëtorët në çfarë gjendje punojnë. Ne kryesisht i kemi vizituar të sektorit të ndërtimtarisë, por nuk do të thotë që nuk i kemi vizituar edhe kompanitë tjera të cilat bëjnë punë të përditshme në pastrimin e objekteve të ndryshme. Kryesisht në ndërtimtari rrezikohet jeta e dhe ka rrezik edhe materieve të ndryshme me të cilat duhet të punojnë për mirëmbajtjen e objekteve qeveritare edhe shkollore”, ka thënë ai.
E, për shkak të këtyre kushteve, Azemi ka theksuar se vetëm sot janë pranuar shtatë ankesa.
“Jashtëzakonisht ka ankesa shumë të mëdha. Vetëm sot i kemi pasur shtatë ankesa për kushtet e rëndë. Normal gjithherë ata punëtorë dëshirojnë që çështja e tyre të mbetet sekrete dhe që jemi pothuajse çdo ditë në terren”, ka thënë ai.
Azemi ka thënë se sindikata, të cilën ai e përfaqëson, nuk ka mundësi të bëjë më shumë në këtë aspekt, përveç identifikimit të elementeve që ndikojnë në vdekjen e punëtorëve.
Duke cilësuar se sektori privat në vend është diskriminuar, ai ka treguar se gjatë punës së tyre, si sindikatë e kanë të vështirë depërtimin në shumë kompani.