Aktuale
Lekaj tregon kur do të funksionalizohet Aeroporti i Gjakovës
Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi Aeroportin e Gjakovës, ku u prit nga Vlora Gojani, menaxhere ekzekutive e këtij aeroporti.
Gjatë bisedës që e zhvilluan, Gojani e njoftoi Lekajn me gjendjen e tashme dhe me sfidat e viteve të fundit, me të cilat është përballur dhe vazhdon të përballet ky aeroport.
Me atë rast u theksua se synim parësor i të gjithëve është funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës, ngase kjo do të paraqesë një faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Gjakovës, por të gjithë Kosovës.
“Në ditët në vijim ne do të marrim qëndrim se si do të trajtohet dhe në çfarë gjendje do të jetë ky aeroport pas gjashtë muajsh. Unë mendoj se do të vijnë ditë të mira për të, sepse edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, është i fokusuar në atë që të bëhet diçka pozitive në këtë aeroport, e kur ekziston përkrahja e kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës, atëherë suksesi nuk do të mungojë”, tha Lekaj.
Lekaj tha se ky aeroport do të funksionalizohet brenda gjashtë muajve.
“Unë i premtova kryeshefes ekzekutive se ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për këtë aeroport dhe të jenë të bindur, Gjakova dhe Kosova, se ky aeroport do të jetë në shërbim të së mirës së Kosovës. Unë shpresoj se brenda gjashtë muajsh do të kemi një situatë krejt tjetër, një situatë pozitive që çon në operacionalizimin e këtij aeroporti. Pra, unë mendoj që pas gjashtë muajsh për këtë aeroport do të ndodhë diçka pozitive”, shtoi Lekaj.