Aktuale
Ulpiana e gurit – themel i ndërtimeve të së ardhmes me dy furra të tjegullave [video]
Është njëra nga qendrat më interesante arkeologjike në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Gadishullit Ballkanik. I vendosur rreth 12 km në jug-lindje të Prishtinës, Parku Arkelogjik i Ulpianës gjendet në tokat që sot i takojnë fshatrave të Graçanicës.
Kushtrim Hajzeri
Qyteti i lashtë i Ulpianës dëshmon qytetërimin në vendin tonë. Ai përfshinte një vendbanim të fortifikuar prej mureve që mbulonte një sipërfaqe prej 35,5 hektarë.
Dikur një qytet që muret rrethuese i kishte të larta rreth 12 metra, e brenda popullohej nga objekte të rëndësishme publike, të kultit fetar e një vilë të kohës.
Gurë të pastër të vendit, tulla e llaq ishin materialet me të cilat u ndërtuan objektet, pjesë të të cilave tash e mijëra vjet i bëjnë ballë kohës.
Arkeologu dhe përgjegjësi i këtij parku, Milot Berisha për Ndërtimi.info ka shpjeguar përbërjen e objekteve që përfshinte qyteti i fortë i lashtësisë.
“Kryesisht materiali që është përdorur këtu ka qenë gurë antezitë- gur gelqerorë, në masën më të madhe kanë qenë gurë gëlqerorë. Mirëpo, ka konstruksione që janë punuar edhe nga guri i shtufit. Realisht më së shumti guri gëlqeror, por në vende të caktuara janë përdorur edhe gurë antezitë”, ka thënë ai.
Derisa materiali bazë, gurët ishin burim i vendit, dikur kishte ndërruar edhe prejardhja e një materiali ndërtimor. Meteriali ishte sjellë së bashku me perandorinë romake, i cili bënë që sot të ketë mbetje nga ndërtimet e asaj kohe, shkruan Ndertimi.info.
Mirëpo, përveç gurëve, kishte filluar të përdoreshin tullat dhe tjegullat. Madje, kishin ekzistuar edhe dy furra brenda qytetit për pjekjen e tyre.
“Nga hulumtimet e bëra në Ulpianë janë zbuluar edhe dy furra në formë rrethore të cilat kanë shërbyer kryesisht për pjekjen e tullave dhe tjegullave për nevoja të ndërtimit brenda dhe jashtë mureve të qytetit”, ka treguar Berisha.
Objektet e ndërtimet e forta nuk përkufizoheshin vetëm brenda qytetit. Jashtë mureve të fortifikuara të saj shtëpi guri ishin ndërtuar nga banorët përreth.
E, disa nga këto objekte ishin ndërtuar duke marrë materialin nga brenda qytetit, duke bërë që nga to të mos mbijetojnë më shumë se themelet dhe rrallë ndonjë mur rreth 2 metra lartësi. Gurë nga Ulipana ishin marrë edhe për ndërtimin e Manastirit të Graçanicës.
“Vazhdimisht janë marrë nga Ulpiana gurë, sepse është material i gatshëm që nuk ka pasur ndonjë kosto. Për t’iu dëshmuar këtë që e them është Manastiri i Graçanicës. Në pjesën e murit të jugor mund t’i vëreni disa fragmente të altarëve, të stelave dhe të strukturave të ndryshme, që janë fragmente arkitekturare që janë marrë nga Ulipana dhe janë përdorur në ndërtimine saj”, ka treguar ai.
Derisa, shpjegoi materialin ndërtimor të përdorur në atë kohë, Berisha ka treguar edhe për akitekurën e objekteve identifikuese të Uplianës.
“Është një qytet që e ka imitu arkitekturën romake dhe më pas gjatë krishterizmit të hershëm dhe antikitetit të vonë ka filluar ta imitojë atë bizantike. Çka ndodhë në Ulpianë është se kemi transformime nga një periudhë në tjetrën, por këto transformime kanë qenë të tilla të punuara sa që kanë ripërdorur materialin, por kanë shtuar diçka të re”, ka shtuar ai.
Trashëgimia arkeologjike e objekteve të zbuluara në Ulpianë përfshinë edhe dyshemetë. Këto dysheme ishin me stil dhe dizajn tërheqës, kryesisht të prej mozaiku.
“Janë gurë kubik të ngjyrave të ndryshme, polikron, por disa janë edhe prej pastës së qelqit. Pjesa më e rëndësishme është tek bazilika peshkopale, është diku rreth 600 metra katrorë… dhe janë tipike palokristiane”, ka shtuar Berisha.
E, këto zbulime ngjallin kureshtjen e mijërave të interesuar çdo vit. Kureshtja që ngjall ky vend sjell çdo ditë rreth 60 vizitorë që deri tani numri i tyre për këtë vit ka shkuar në 15 mijë.