Featured
Shtrohet asfalt mbi asfalt në Frashër të Mitrovicës
Departamenti për Menaxhim të Rrugëve i Ministrisë së Infrastrukturës ka nisur në disa raste shtrimin e asfaltit mbi asfalt.
Një gjë e tillë po ndodh edhe në rrugën regjionale të Fshatit Frashër të Komunës së Mitrovicës, raporton KTV.
Për banorët, shtrimi i asfaltit nga fillimi është mjaft i habitshëm. Kjo rrugë, sipas tyre, ka pasur nevojë vetëm për sanimin e disa gropave, por jo për shtrimin e tërësishëm të saj.
Në këtë rrugë Ministria ka intervenuar në një gjatësi rreth një kilometër, për të cilën menaxheri i këtij projekti thotë se janë dashur 65 mijë euro.
Se kjo nuk është hera e parë e përdorimit të kësaj metode për rregullim të rrugëve e thonë edhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës.
Asfalt mbi asfalt është shtruar edhe në fshatrat Bukosh e Polac të Vushtrrisë.



