Aktuale
Shkolla “Ali Agjahu” drejt rikonstruksionit të plotë
Më shumë se 500 nxënës të shkollës “Ali Agjahu” në Elbasan së shpejti do të kenë mundësi të zhvillojnë një proces mësimor normal, konform kushteve që duhet të plotësojë një institucion i dijes.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit inspektuan punimet në këtë shkollë.
“Sot jemi këtu për një investim shumë të rëndësishëm të bashkëveprimit midis Bashkisë Elbasan dhe Qeverisë. Rikonstruktohet një prej shkolla më historike të Elbasanit, po të kemi parasysh edhe projektin e saj që është një projekt tipik i shkollave italiane, e ndërtuar shumë vite më parë dhe kishte ardhur koha të rikonstruktohej”, tha Balla.
“Ka qenë një iniciativë e kahershme e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit që çdo rikonstruksion shkolle të përfshijë edhe të gjitha standardet e domosdoshme. Puna e Bashkisë Elbasan është e shkëlqyer. Ne vazhdojmë të merremi me punë, ka ca të tjerë që merren me llafe”, ka shtuar tutje Balla.
Kryetari i Bashkisë u zotua se të gjitha shkollat në qytet e fshat do të kenë këtë standard.
“Edhe pak ditë dhe inaugurojmë përfundimin e punimeve në shkollën “Ali Agjahu”. Është investim i FZHR. Pas shkollës “Qamil Guranjaku” dhe pas shkollave të fshatit, një pjesë e mirë e të cilave i kemi përfunduar me fondacionin IACA dhe tashmë po punojmë me intensitet që të përfundojmë shkollat e qytetit, jo vetëm me rikonstruksion, por edhe me zgjerim për t’i pajisur me ambientet sportive, por edhe me sistem ngrohje”, tha Sejdini.
Shkollës “Ali Agjahu” do t’i shtohen dy kate anësore pasi numri i nxënësve në këtë shkollë kërkon edhe shtimin e numrit të klasave, por edhe ndërtimin e një palestre.