Aktuale
Ulja e taksave në turizëm, ftesë për investitorët strategjik
Strategjia e Qeverisë së Shqipërisë për të tërhequr investitorët e huaj veçanërisht në sektorin e turizmit, reflektohet në paketën fiskale që do të nis zbatimin nga 1 janari i vitit 2018.
Për nxitjen e zhvillimit të sektorit të turizmit elitar konkretisht zhvillimin e shërbimeve të hotelerisë në “hotelet me pesë yje, status special”, qeveria ka propozuar aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, jo vetëm për furnizimin e shërbimit të akomodimit, por edhe për çdo shërbim tjetër të ofruar brenda këtyre strukturave akomoduese.
Për investitorët që do të ndërtojnë hotele me 4-5 yje, ka përjashtim nga taksa e pronës dhe infrastrukturës, tatimi mbi fitimi për 10 vjet do të jetë zero dhe TVSH-në do ta kenë 6%.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit dhe Hotelerisë, Zak Topuzi në një intervistë për ATSH-në theksoi se paketa me lehtësitë tatimore është e vetmja mënyrë që Shqipëria të mund të përfitojë nga pozicioni gjeografik por dhe të mund të vitalizojë resurset që i ka të shumta e të pa shfrytëzuara.
“Ballkani është kthyer në një “brand” dhe Shqipëria është në një pozicion determinues në rrugën e kalimit të tureve ballkanike. Sa më shumë struktura cilësore të ndërtohen, aq më shumë të investime mund të thithë vendi”, deklaroi Topuzi.
Madje shprehet ai, Shqipëria është e vonuar në trajtimin e industrisë turistike si promotor i zhvillimit të vendit. Kjo për arsye të politikave të gabuara gjatë 27 viteve, por dhe përdorimit politik të turizmit.
Gjithmonë, vijon ai, është quajtur “prioritet” por vetëm gjatë këtij viti qeveria ‘Rama’ ka ndërmarrë disa hapa për ta futur Shqipërinë ndër vendet që mund të konkurrojnë në rajon për investime në këtë fushë.
“Dy kanë qenë hapat e rëndësishëm: ulja e TVSH për akomodimin në 6% dhe ligji për investimet strategjike, ku sektori turizmit mund të jetë konkurrues në tregun rajonal.
Këto lehtësira do të jenë për ndërtimet e reja dhe kryesisht markat e njohura që kërkojnë të investojnë në Shqipëri. Në fakt, shprehet Topuzi, Shqipëria vuan për investime serioze dhe me standarde në tregun e pushimeve të rërës e të detit që është dhe turizmi i cili sjell më shumë të ardhura e punësim.
Sipas Topuzit, Shqipërisë i mungojnë këto kapacitete akomoduese dhe kjo ka bërë që Greqia të ketë konkurrente Malin e Zi dhe Kroacinë që po thithin gjithnjë e më shumë tregun elitar.
Problemi i vetëm që Topuzi sheh ndaj kësaj qasje të qeverisë është se paketa fiskale duhet të ruajë balancat në mënyrë që dhe industria ekzistuese të ketë mundësi të mbijetojë. “Kjo politikë ka impakt të ndryshëm tek kategoritë e ndryshme të biznesit. Psh në Itali, barrën kryesore të industrisë e mbajnë hotelet me 1,2 apo 3 yje dhe apartamentet që përpunojnë 81% të turistëve që hynë në vend. Vetëm 9% janë hotelet me 4 e 5 yje. Pra nuk ka kuptim të diferencosh kategorinë që me mund ka arritur t’i mbijetojë tregut kaotik. Sigurisht klasifikimi me yje e standardizimi që pritet të aplikohet gjatë vitit në vazhdim, do ta penalizojë gjithë industrinë ekzistuese që për arsye të plotësimit të këtyre kritereve, do t’i duhet të bëjë investime jo të pakta rikonstruktive”, shprehet Topuzi.
Nga paketa e propozuar nga qeveria, sipas Topuzit, do të përfitojnë disa brande që kanë investuar dhe mendohet të investojnë në vitet në vazhdim në Tiranë por edhe investimet e reja në resorte apo porte që pritet të fillojnë ndërtimin pas vitit 2018.
“Mendoj se për investimet në bregdet kjo iniciative duhet stimuluar. Në rastin e Tiranës më duket e nxituar pasi mungon tregu për këtë kategori, madje është i tejngopur. Ndërtimi i disa hoteleve me 5 yje në Tiranë, pa patur treg, po sjell dëmtimin e vetë fashos ku këta hotele mund të zhvillojnë biznesin”, tha Topuzi.
Shqipëria, vijoi Topuzi, vazhdon të ketë një rritje konstante prej rreth 15% në vit të turistëve dhe sigurisht është një lajm i mirë.
Si rezultat i përmirësimit të klimës politike dhe kthimit të turizmit gjithnjë e më shumë si mënyrë jetese, Evropa po thith gjithnjë e më shumë turistë dhe e ka kthyer turizmin në një lëvizje 365 ditë në vit. Anglia raportoi që të ardhurat dhe për vitin 2017 nga turizmi kanë arritur të kalojnë 2,5 herë atë të prodhimit të makinave dhe po kalon në vëmendjen kryesore të qeverisë.
Greqia po përfiton ndjeshëm nga rritja e interesit për këtë rajon (si rezultat i problemeve që shfaqi ‘pranvera arabe’ e Turqia). Sipas raportit të fundit Greqia ka arritur të përfitojë ndjeshëm nga rritja e interesit për turizëm vitet e fundit, nga viti 2009 deri 2016 , pra për 6 vjet ka dyfishuar numrin e turistëve dhe të ardhurave (viti 2009 14 milionë turistë- viti 2016 arriti në 27 milionë turistë).
Numri i turistëve për vitin 2017 pritet të arrijë në 30 milionë. Interesant, sipas Topuzit, është fakti që për këtë periudhë Greqia raporton rritjen 200% të turistëve shqiptar në Greqi (nga 250 mijë në vitin 2009 ka arritur në 500 mijë në 2016).