Aktuale
Mbrapa fjalëve për zgjerimin 33 milionësh të pistës së aeroportit “Adem Jashari”, këto janë shifrat
Qeveria e Kosovës do të ndajë 33 milionë euro për zgjerimin e pistës se Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kështu tha ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë një vizite që pati në aeroport.
“Biseduam për zgjerimin e pistës dhe ne do t’i kryejmë obligimet tona do ti japim 33 milionë euro për këtë projekt, u dakorduam që sa më parë të fillon ky projekt dhe të mos zgjatet”, tha Lekaj.
Mirëpo, dokumentin të cilin e posedon Ndërtimi.info, në lidhje me ndarjen e buxhetit për vitin 2018, tregon se ky projekt do të zgjatet shumë, madje puna më e madhe do të bëhet në vitin 2020, pasi aëherë do të ndahen 62.85% e buxhetit total të këtij projekti. E buxheti total, gjithmonë sipas të dhënave në Buxhetit të Kosovës për 2018 është 32,681,200 euro.
Në rishikimin e buxhetit për vitin 2017, ishin shtuar si mjetet të reja 60 mijë euro. Në dokument figuron të jenë totali për vitin 2017, 60 mijë euro. Ndërsa vlerësimi për vitin 2018, nga Buxheti i Rishikuar i Kosovës për vitin 2017 është 2,141,020 euro. Më pas vlerësimi për vitin 2019 shkon në 10 milionë euro.
Nëse shihet ndarja në Buxhetin e 2018-s, figuron se nga 2017 do të barten 2,141.020 euro, më pas 2019 do të shtohen 10 milionë, e tek në vitin 2020 do të jepet hisja e madhe prej 20 milionë e 540 mijë e 180 euro.
Aeroporti është marrë me Partneritet Publiko-Privat nga kompania turke “LIMAK”. Ky koncension do të zgjasë 20 vite. Në terminalin e ri hapësirat janë rreth 26,000 metra katrorë, teksa ka pasur edhe investime tjera. Diku është përllogaritur që të jenë investime rreth 100 milionë euro. Ndërsa Kosova është llogaritur të ketë të hyrje prej 400 milionë eurove nga koncensioni.