Aktuale
Kredia e re për biznesin – Rritja për 9-mujorin arrin në 18%
Të mërkurën, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nënvizoi se në muajt e fundit kreditimi i biznesit po shfaq shenja të dukshme përmirësimi. Veçanërisht e rëndësishme, sipas tij, është rritja e kërkesës për kredi në segmentin e korporatave.
“Një aspekt pozitiv i tremujorit të tretë ishte rritja e kërkesës për kredi, veçanërisht në segmentin e korporatave, pasi rritja e deritanishme për kredi ka qenë kryesisht për pasojë e rritjes në segmentin retail-it. Po ashtu standardet e kreditimit të sektorit privat janë lehtësuar, megjithëse ato vazhdojnë të mbeten relativisht konservatore”, u shpreh Sejko.
Statistikat tregojnë se kredia e re për biznesin këtë vit është një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Për nëntë muajt e parë të vitit, sistemi bankar dha afro 201 miliardë lekë kredi për biznesin, vlerë kjo më e lartë me afro 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifra totale mund të përfshijë pjesërisht edhe kredi të ristrukturuara, megjithatë, duket qartë se ka një tendencë për rritje të kreditimit, sidomos në tremujorin e tretë. Të dhënat e detajuara tregojnë se kredia për bizneset private është në rritje si në lekë, me 22%, ashtu edhe në euro, me afro 24%.
Rritja vazhdon të dominohet nga kredia afatshkurtër, në formë overdrafti apo financim për kapital qarkullues. Megjithatë, edhe kredia e re për investime në makineri e pajisje apo pasuri të paluajtshme nga bizneset ka një ecuri mjaft pozitive.
Rritja më e lartë ekonomike po e gjallëron kërkesën e tregut për financime, ndërsa ulja graduale e raportit të kredive me probleme po e çliron disi ofertën e bankave, që gjatë viteve të fundit kanë qenë veçanërisht konservatore në kreditimin e biznesit të madh.