Aktuale
Raporti i CIA-s se si serbët ndryshuan hekurudhën e Prizrenit nga frika e Shqipërisë në vitin 1949
Dokumentet e vjetra të CIA-s amerikane janë deklasifikuar dhe publikuar për publikun se kush dëshiron të shohë se çka është raportuar dhe si është raportuar.
Në një dokument të 27 tetorit të vitit 1949 raportohej për ndërtimin e hekurudhës së Prizrenit, atëbotë pjesë e Kosovës si pjesë e Jugosllavisë. Ndërtimi.info ka gjetur një raport ku tregohet ndryshimi i trasesë së hekurudhës së Prizrenit.
Së pari përmendet se efekti dhe impakti i hekurudhës, ku nuk ka të bëjë vetëm me ekonomi, por edhe ushtri, raporton Ndërtimi.info.
“Hekurudha e Prizrenit, e cila po ndërtohet për të ndihmuar në zhvillimin e fushave të kromit në Kosovë, është përshkruar gjithashtu si një hekurudhë strategjike që shërben gjithashtu në depozitën e municioneve të Malet e Sharrit”, thuhet në paragrafin e parë të raportit. Aty thuhet se tensionet mes Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë ishin evidente. Kjo futej në raport ngaqë Prizreni është qytet kufitar me Shqipërinë, dhe për këtë është ndryshuar traseja e hekurudhës.
“Marrëdhëniet e tensionuara midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë kanë shkaktuar që të ndodhë një ndryshim në rrugën e propozuar. Rruga e ndryshuar tani ndjek luginën e lumit Drini i Bardhë, dhe Klina, Mirusha dhe Toplicën. Ndërtimi i urave të betonit është në zhvillim e sipër në disa pika në luginën e lumit Drini i Bardhë”, citohet raporti.
Sot hekurudha ekziston në Prizren, por aty nuk kalon treni. Për një kohë të gjatë është diskutuar edhe mundësia e hekurudhës për në Shqipëri, por ky projekt nuk është vlerësuar nga ekspertët si strategjik dhe nuk ka pasur asgjë konkrete, përpos bisedimeve në takime për qëllime tjera mes delegacioneve Kosovë-Shqipëri.