Aktuale
Kandidatët për kryetar komune në Kosovë s’kishin ide se çka është Harta Zonale
Në fushatë zgjedhore në mesin e shumë premtimeve të kandidatëve të cilët synonin të vinin në krye të komunave të Kosovës, ishte edhe Harta Zonale.
Për këtë të fundit arkitekti i njohur, Ylberi Vokshi tha se kandidatë nuk ia kishin idenë se çka është Harta Zonale, e aq më pak ta zbatojnë. Ai ka ngritur si çështje edhe atë se a ka njerëz të aftë e të përgatituni që do të merren me hartimin e kësaj harte.
“Është shumë interesant Ligji i Planifikimit Hapësinor, Ligji i 2013 është ndryshuar dhe është aprovuar në emër të avancimit të problematikës hapësinore, e në thelb është ka ndodh e kundërta. Është interesant, Komuna e Prishtinës, opozita e ka kërkuar gjithë kohës me u punu harta zonale e komunës. E harta zonale, pikë së pari as nuk e ka ditë çka është. E një kandidat nuk e ka ditë a është një hartë apo sa Harta Zonale”, ka thënë Vokshi.
Vokshi gjatë një interviste me Ndërtimi.info ka treguar se çka konkretisht është Harta Zonale.
“Harta Zonale është një plan shumë i detaluar, shumë i mirë ama i përshtatet kushteve tona të Kosovës është në pyetje. Nëse ekzekutohet Harta Zonale ashtu si është e përshkruar në Udhëzim Administrativ atëherë gjitha çështjet ishin zgjedhur në nivel qendror dhe lokal. Por sa i kemi ne njerëzit e aftë dhe të përgatitur, nuk po flas vetëm për një komunë. Kemi 38 komuna që nuk e din as çka do të thotë harta zonal e lërë më me zbatu. Kjo hartë është një element i cili është keqpërdorur shumë në fushatë zgjedhore. Ashtu është idealizu që me punimin e atij dokumenti do i zgjidh gjitha problemet, e që as përafërsisht nuk është. Se me i përgatit atë dokument duhet shumë kohë, dhe përgaditje të mëdha detale të cilat deri sot kanë munguar”, potencoi Vokshi.
Se a do të mund të punohet në Hartat Zonale, Vokshi nuk shpreson shumë. Ai madje thotë se nga ato që ka parë për 18 vite, vështirë që do të punohet në këtë drejtim.
“Uroj që ndoshta prej sot ja nisin me punu qysh duhet, edhe pse personalisht prej asaj që kam parë këto 18 vite, është e pamundur”, përfundon Vokshi.
Ndryshe në shtatorin e këtij viti, Komuna e Klinës veçse ka nënshkruar kontratën për hartimin Hartave zonale me vlerë 130 mijë euro.
Edhe ish ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala mars të këtij viti gjatë një konferencë që kishte pasë me Brahim Selimajn, kryetarin e Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore, kishte diskutuar për përpilimin e Hartës Zonale, e cila i mungon sektorit të planifikimit dhe ndërtimit.
“Ndërtimi i këtyre hartave, do të bëhet në koordinim në mes pushtetit qendror the atij lokal. Ndërtimi i kësaj harte ka filluar në disa komuna. Dy prej tyre janë Ferizaj dhe Skenderaj. Puna në këto qytete veç se ka filluar dhe jemi ne proces të punës me 15 nivele tjera komunale. Kështu do të vazhdojmë me të gjitha komunat e tjera. Brenda këtij viti kalendarik do të kemi hartën zonale komunale dhe hartën zonale të Kosovës”, citohet të ketë thënë Shala.
Gjithashtu edhe Komuna e Prishtinës në prill të këtij viti ka filluar përgatitjet për hartimin e Hartës Zonale, sipas UA nr. 24/2015. Në mënyrë që të hartohet një Hartë Zonale funksionale, e zbatueshme dhe e qëndrueshme, Sektori i Planifikimit pranë Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka filluar të mbledhë të gjitha të dhënat mbi strukturën urbane të qytetit, planet e niveleve të ndryshme, banimin, infrastrukturën sociale, hapësirat publike, demografinë, ekonominë, transportin, mjedisin, infrastrukturën teknike, etj.
Ndryshe, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Ligjin për Planifikim Hapësinor në Nenin 13 e tregon se çka është Harta Zonale.
Sipas Nenit 13, Harta Zonale e Kosovës është një dokument multi-sektorial që përmes grafikoneve, hartave dhe tekstit përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për territorin e Kosovës, për një periudhë së paku tetë vjeçare.
Ndërsa, Harta Zonale përcakton sipërfaqe dhe masat për, zhvillim ekonomik. Zhvillimin e zonave bujqësore, rezidenciale, komerciale, industriale, teknologjike dhe për shfrytëzim të përzier dhe kushte ndërtimore.
Përmirësimin e infrastrukturën teknike të nivelit qendror, përmirësimin e infrastrukturës publike të nivelit qendror, përmirësimin e sigurisë publike të nivelit qendror. Mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera si dhe ndotja e degradimi i mjedisit, zvogëlimin dhe minimizimin e rreziqeve nga fatkeqësitë e tjera natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Sipërfaqet e mbrojtura, Zonat e veçanta dhe zonat e veçanta të mbrojtura. Dispozita e zbatimit dhe dispozitat e monitorimit të zbatimit.
Kurse hartimi i Hartës Zonale të Kosovës bazohet në deklaratën e vizionit, parimeve dhe pikësynimeve sektoriale të zhvillimit strategjik. Krijimin e kushteve të mira të jetesës, mundësi të barabarta ekonomike dhe mbrojtje të mjedisit dhe të trashëgimisë natyrore, kulturore dhe arkeologjike.
E Ministria me akt nënligjor e përcakton elementet dhe kërkesat themelore për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e Hartës Zonale të Kosovës.