Uncategorized
ASANA – Aplikacioni për menaxhimin e projekteve dhe punës në grup

Nëse jeni një grup personash (biznes, organizatë, projekt, apo ndërmarrje e caktuar) që keni nevojë të punoni dhe koordinoheni me njëri-tjetrin për një projekt apo punët e përditshme, atëherë ASANA mund t’iu lejojë të përmirësoni efikasitetin dhe kohën e realizimit të punëve.
Nuk është e nevojshme që të gjithë pjesëtarët të jenë pjesë e projektit në ASANA, por të paktën personat kyç ose drejtuesit e grupeve të punës, që të mund të ndjekin procesin.
Ajo që më pëlqen veçanërisht është fakti që të gjithë pjesëtarët e një projekti shohin se cilat janë detyrat që duhen realizuar dhe kujtdo mund t’i caktohet pjesa e vetë e detyrave dhe përgjegjësive brenda një apo disa projektesh.
Ndërkohë, kur dikush mbaron pjesën e vetë, e ka shumë të lehtë ta quaj të mbaruar dhe nuk ka nevojë të komunikojë me e-mail apo telefon me pjesën tjetër të skuadrës, por e shënon këtë gjë brenda vetë aplikacionit.
ASANA nuk është aplikacioni i vetëm i tillë që ofron këtë lloj shërbimi, por mbetet një ndër më të mirët me opsionin falas deri në 15 persona.
Para se ta adoptoni për skuadrën tuaj!
Është e rëndësishme që ta testoni dhe mësoni vetë funksionim e këtij aplikacioni, më pas mund t’a prezantoni atë gradualisht edhe me pjesën tjetër të grupit. Si çdo aplikacion menaxhimi projektesh/detyrash ka nevojë që të mësoheni para se të filloni ta përdorni me gjithë pjesëtarët e grupit.
Disa alternativa të tjera
Producteev – njësoj si ASANA, aplikacion iu lejon të menaxhoni detyrat duke ia dërguar vetes me e-mail apo duke ia deleguar të tjerëve.
Todoist – E përdor çdo ditë dhe është fantastik për mbajtjen e listës së detyrave personale. Mbi të gjitha më pëlqen që pavarësisht platformës Desktop, Tablet, Celular, ndërfaqja është e njëjtë. Versioni falas është i mjaftueshëm për shumicën, por kur kaloni në versionin me pagesë është vërtetë mjaft i mirë dhe do e përdorja ekskluzivisht po të kishte disa opsione si, për shembull pasqyrimi i detyrave sipas ditëve kalendarike, listimi i detyrave të personave, etj. Kuptohet edhe këto mund të realizohen sapo t’ia merrni dorën aplikacionit.
Wedoist – Është vëllai i madh i Todoist dhe është krijuar enkas për menaxhimin e punëve në skuadër. Është mjaft i mirë dhe nëse jeni përdorues i rregullt i ‘Todoist’, kalimi në këtë aplikacion është mjaft i lehtë për ju dhe skuadrën tuaj.
Google Tasks – Bazik dhe jo i mirëfilltë për menaxhimin e punës në skuadër, edhe pse Google i ka vendosur farat për menaxhimin e projekteve në grup. Është mjaft i mirë nëse jeni përdorues i Gmail dhe i aplikacioneve të tjera Google. Aktualisht, në celularin dhe laptopin tim përdor ‘Google Keep’ në vend të ‘Google Tasks’.
Wunderlist – Konkurrent i denjë i ‘Todoist’, por nuk e preferoj si ndërfaqe pasi më duket mjaft i thjeshtë. Të lejon edhe përdorimin në grup, por me funksione të reduktuara.
Trello – Avantazhi kryesor është pamja apo prezantimi që të ofron për çdo projekt apo detyrë.
Wrike – Ndarja e detyrave dhe projekteve bëhet njësoj si në dosjet e kompjuterit (folders & subfolders) dhe kjo e bën mjaft të lehtë për t’u mësuar, por shumë shpejt të bëhet i mërzitshëm, të paktën në eksperiencën time.
Bitrix24 – Përpiqet të konkurojë me Asana në mjaft prej funksionaliteteve bazë dhe madje është më i mirë në disa, por jo pa paguar më parë! Nëse kërkoni të gjeni një aplikacion me pagesë, atëherë ka alternativa të tjera shumë më të mira dhe më të avancuara se këto që ju prezantuam këtu.
Slack – Është një aplikacion mjaft i mirë komunikimi në grup. Madje, në disa aspekte është më praktik se sa ASANA, por duke qenë se është disi më i ri ka edhe më pak aplikacione dhe funksione të tjera që mund të integrohen. Gjithsesi, ju ftoj ta testoni pasi po zhvillohet mjaft shpejt dhe ka kaluar mjaft nga konkurrentët në linjën e vet.
