Featured
Voskopoja, një qytetërim shekullor, një turizëm përrallor

Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra.
Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 5 kisha.
Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Voskopoja sot është njësi administrative që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit.
Kështu e nis përshkrimin e këtij lokaliteti gazeta Koha Jonë.
Voskopoja ishte qendër e zhvilluar kulturore e themeluar e përbërë nga shqiptarë, por dhe emigrant arumunë e grekë. Në Voskopojë u vendos shtypshkronja e dytë në Perandorinë Osmane 1720 (pas asaj në Konstandinopojë), u themelua Akademia e Re, një jetimore (e para në botën post-Bizantine), një spital si dhe 24-30 kisha unikale.
Anastas Kavaljoti ishte ai që mendohet se përgatiti alfabetin e parë shqip, madje shkroi dhe disa traktate por që janë zhdukur. Voskopoja u shkatërrua nga disa djegie të njëpasnjëshme. Në 1769 osmanët e dogjën dhe e plaçkitën. Kulmi arriti në 1788 kur trupat e Ali Pashës e rrafshuan përfundimisht.

Një pjesë e tregtarëve voskopojarë u vendosën në Korçë e Berat ndërsa shumica u largua për në Thesali, Austri, Mbretërinë e Hungarisë si dhe në Transilvani. Ndonëse Daniel Voskopojari rindërtoi një shkollë në 1802 qyteti nuk e mori më veten kurrë. Sikur të mos mjaftonte kjo Voskopoja u plaçkit edhe një herë nga banda e Sali Butkës në 1916. Në këtë fshat ka shumë hotele cilësor që gjatë fundjavë mbushen plot, ku mund të përmendet Tavernë-hotelin “Ambasador” me një shërbim elitar dhe ambiente të jashtëzakonshme.
Sa banorë sa ndërtesa dhe çfarë përfaqëson në vetvete njësia administrative Voskopojë?
Voskopoja aktualisht vetëm si fshat ka 1 mijë banorë kurse si njësi aAdministrative me 3 fshatra ka 2 500 banorë, tregon kryetari i Njësisë Administrative Voskopojë, Bashkia Korçë, z. Luan Fidani. Shumica e banorëve janë në emigrim në shumë vende të Europës por 4 vitet e fundit po shihet një kthim I madh në vendlindjen e tyre.
Aktualisht në Voskopojë kemi shumë ndërtime të reja dhe shumë familje të reja apo dhe familje të ikura që tashmë kërkojnë të ndërtojnë një shtëpi të dytë në Voskopojë ose për përdorim vetjak ose për hotel-turizëm. Voskopoja sa vjen dhe po zgjerohet si fshat. Pa po mendohet dhe po punohet që Voskopoja të kthehet në ndriçimin e hershëm duke pasur parasysh historinë në të kaluarën si dhe bukuritë natyrore. Dihet tashmë se si trevë Voskopoja ka një klimë shumë interesante dhe të mirë sikundër ka dhe shumë resurse turistike të cilat e bëjnë atë një ndër zonat më interesante të Shqipërisë dhe jashtë saj.
Ju thoni se Voskopoja ka shumë objekte, histori dhe pasuri që ngjallin një interes të jashtëzakonshëm për turizëm cilat janë ato?

Objektet kryesore të historisë së Voskopojës janë kryesisht kishat, ku dikur kanë qene mbi 30 kisha unikale ndërsa sot janë 5 në gjendje të mirë të vizitueshme ku mund të shikohen afresket dhe stili i ndërtimit, ambientet e ndërtimit, zbukurimet e veçanta dhe ndërtimi i veçantë prej guri. Kemi një Manastir shumë interesant Manastiri i Shën Prodhomit i cili në tërë kohën e tij ka qenë jo vetëm vendi ku mblidheshin dhe takoheshin besimtarët të krishterë por aty takoheshin dhe miqtë e të gjitha besimeve fetare, pra ishte si një pikë takimi pavarësisht besimeve fetare.
Ky Manastir ishte dhe si qendër humanitare, ndihme ku shumë njerëz aty kalonin natën për arsye të ndryshme. Ky Manastir nuk i ka shërbyer vetëm Korçës por të gjitha krahinave përreth. Manastiri edhe sot është funksional dhe administrohet nga kisha ortodokse e Korçës. Por nuk ka atë funksion si më parë. Kohët e fundit qeveria dhe Bashkia e Korçës ka bërë një investim prej 100 milionë lekësh (të vjetra) për restaurimin e këtyre konakëve, Manastirit kishave me qëllim që të vihen në funksion të plotë të turistëve por edhe të banorëve.
Sa turistë vijnë aktualisht në vit në Voskopojë dhe cilat janë stinët që vijnë më shumë turistë?
Numri i saktë është i vështirë pasi ende nuk kemi një zyrë regjistrimi real, por duke marrë parasysh dhe ditët e festive që ka një dyndje të madhe them se në Voskopojë vijnë rreth 50 mijë turistë në vit. Ky është numri më i besueshëm, port ë shpërndara në çdo stinë. Nga ato që ndjekim në vazhdimësi është se stina e verës është stina më e preferuar dhe më e lakmuara për të ardhur për të bërë pushime.
Shumica e turistëve është vendas, por dy vitet e fundit po shikohet një shtim i turistëve të huaj. Pra ende nuk është reklamuar sa duhet kjo qendër turistike për të huajt. Ndërsa në vitin 2017, rritja e turistëve të huaj është rritur ndjeshëm pasi qeveria por edhe Bashkia Korçë po bën një reklamë të jashtëzakonshme duke ditur të veçantat, historinë dhe karakteristikat e Voskopojës. Me këtë ritëm reklame dhe me këtë interesim, besoj se në vitin 2018 numri i turistëve të huaj do barazohet me atë vendas. Imazhi i Voskopojës është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit për vetë investimet e mëdha që ka bërë shteti dhe bashkia në përmirësimin e infrastrukturës. Pra shtëpitë karakteristike me gur, kishat, historia, manastiri, monumentet e vjetra janë thesare të veçanta që e lartësojnë emrin e këtij fshati kaq piktoresk dhe me emër.
Për ndërtimet e reja, a ka ndonjë ligj të veçantë për karakteristikat dhe arkitekturat e ndërtimeve?
Po, tashmë ka një ligj për mënyrën e ndërtimeve dhe një plan urbanistik nga Bashkia për mënyrën e ndërtimeve, mbi lejet e ndërtimeve dhe standardet e ndërtimeve. P.sh katet e ndërtesave do jenë deri në dy kate e gjysmë dhe vetëm me gur dhe çati me rrasa guri ose tjegulla gri. Pra nuk do lejohet asnjë ndërtim jashtë këtyre standardeve dhe pa lejen e bashkisë të miratuar nga plani urbanistik.
