Aktuale
Gjithçka rreth vdekjes së punëtorit të “Bechtel&Enka”-s në autostradën “Arbën Xhaferi”
Mëngjesi i sotëm bëri që dita të vazhdonte me një punëtor të vdekur në vendin e tij të punës. Rreth orës 08:30 Tafil Tafallari gjeti vdekjen derisa po kryente punën në ndërtimin e autostradës së dytë më të madhe në vend, atë Prishtinë – Shkup, “Arbën Xhaferi”.
41 vjeçari, punëtor i kompanisë “Bechtel -Enka”, ishte në terrenin e punës derisa një cisternë uji si pasojë e terrenit të lagësht nga shiu që kishte rënë një natë më herët, kishte rrëshqitur dhe e kishte goditur për vdekje me pjesën e mbrapme të automjetit. Kështu e rrëfen ngjarjen për Ndërtimi.info një nga shokët e viktimës, në kushte anonimiteti.
Pasi Tafallari kishte pësuar me fatalitet, Policia e Kosovës dhe ekipi mjekësor kishin dal në vendin ku kishte ndodhur ngjarja e rëndë. E gjitha çka arritën të bëjnë mjekët, ishte vetëm konstatimi i vdekjes së 41 vjeçarit, Tafil Tafallari që po punonte aty, por ishte nga komuna e Prizrenit.
Pasi kishte arritur në vendin e ngjarjes, Policia kishte filluar hetimin. Vdekja e tij që ndodhi në afërsi të fshatit Kovaçec të Kaçanikut, po konsiderohet aksidentale, e shkaktuar nga një koleg i tij 24 vjeçar. Ky 24-vjeçar me iniciale M.S. tashmë është në mbajtje për 48 orë.
Ndërtimi.info ka kontaktuar rreth orës 10:00 edhe me kompaninë “Bechtel – Enka”. Zëdhënsja e kësaj kompanie, Ela Ruci nuk ka dhënë detaje rreth ngjarjes, duke kërkuara që të ketë ndjeshmëri për rastin.
Sipas saj, krejt çka bëri sot kjo kompani janë lutjet e drejtuara për familjen e viktimës. E, kjo familje sipas shokut të viktimës, jeton në kushte të rënda ekonomike.
“Detajet do t’i japin autoritetet që janë të specializuara për rastin. Ajo që mund të them është se lutjet tona shkojnë për familjen e zotërisë që humbi jetën. Në këto momenti ne jemi duke bërë investigimin e rastit dhe për momentin nuk dua të flas më tepër për shkak të familjes dhe duhet të jemi pak më të ndjeshëm. Për të gjitha këto të dhëna do të dalim përmes një raporti nga Policia”, ka thënë Ruci.
Pas kësaj vdekje, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka mbajtur një takim me drejtorin e projektit nga “Bechtel&Enka”, Riyadh Alkhazjar. Mirëpo, nga ky takim në të cilin u diskutua situata në ketë kohë të pas-fatkeqësisë, nuk u tha asnjë konkrete me arsyetimin se nuk duan të lëshohen në deklarata, pasi me rastin po merren organet kompetente.
Në lidhje me këtë rast të rëndë, ka reaguar ashpër edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo ka thënë se kompania “Bechtel – Enka” i trajton punëtoret sikur të ishin skllevër, me paga të vogla, me mungesën e kushteve për punë e me shkelje të të drejtave. Haxhiu ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që të çojë raport në Kuvendin e Kosovës dhe që ky i fundit të merret urgjentisht me këtë çështje.
E, kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka thënë për Ndërtimi.info se ekipi i Inspektoratit të Punës ka dal në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së informatës.
Ai, ka thënë se edhe më parë ka pasur inspektime të punës së kompanisë në fjalë, duke shtuar se deri tani nuk ka pasur ankesë nga punëtorët e kësaj kompanie për kushtet e punës. Madje, ai ka thënë se kompania “Bechtel – Enka” ofron kushtet më të mira të punës në Kosovë.
“Punëtorët e Bechtel Nekas asnjëherë nuk janë ankuar për kushtet e punës. Duhet me qenë korrekt sepse ‘Bechtel–Eneka” i ka kushtet më të mira të punës në Kosovë. Ata zakonisht e bëjnë trajnimin e punëtorëve, nuk i qesin në vendpunishte pa ju bërë trajnim. Ata e kanë një lloj udhëzuese që brenda në gjoks punëtorët e kanë vete, ku përshkruhen rreziqet e punës dhe pajisjet me të cilat pajisen ata”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Tafallari u bë i dyti punëtorë që brenda këtij muaji vdiq gjatë punës në këtë autostradë.