Ndërtim
Këto objekte lirohen nga tatimi

Qeveria duket se është e vendosur në strategjinë e saj për të tërhequr investitorë në sektorin e turizmit dhe në paketën fiskale finale që do të miratohet në qeveri ka shtuar edhe një lehtësi tjetër që nuk ishte në fazën paraprake.
Pas propozimit për taksë zero në infrastrukturë për hotelet me 5 yje, pas zerimit të tatimfitimit për një periudhë 10 vjeçare për të njëjtat hotele dhe pas propozimit për ulje të TVSH-së në 6 % edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera që ofrohen në hotel përveç shërbimit të fjetjes që vlen për gjithë sektorin vjen edhe një lehtësi tjetër.
“Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat strukturat akomoduese ‘Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit’” thuhet në nenin 22 të draftit ligjit “Për taksat vendore”.
Kjo praktikisht i bën subjektet e interesuara për të investuar në Shqipëri pa ndonjë detyrim domethënës për t’u paguar në arkën e shtetit.
Gjithsesi ka një kusht që duhet të plotësohet që të përfitohet lehtësia. Këto të fundit duhet të marrin status special që përfitohet sipas përcaktimeve ligjore në sektorin e turizmit.
Vetë qeveria ka pranuar në relacionet respektive të kësaj pakete se Shqipëria nuk ka akoma asnjë strukturë me 5 yje dhe se këto incentive do t’i japin një stimul të ri investimeve në këtë sektor. Për të marrë këtë nismë Ministria e Financës dhe Ekonomisë i është referuar edhe praktikave që kanë zhvilluar fqinjët që sipas të njëjtës ministri kanë politika agresive në këtë aspekt duke konkurruar fort në treg.
