Aktuale
Gërxhaliu: Politika në funksion të zhvillimit ekonomik
Në një kohë kur të gjithë flasin për një treg rajonal, komuniteti i biznesit kërkon më shumë nga politika lehtësuese , sidomos e asaj shqiptare dhe kosovare. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, u shpreh në një prononcim për TV SCAN, se ndërmarrja e dy politikave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë në funksion të zhvillimeve ekonomike.
“Në rend të parë duhet të jetë ekonomia prioritet i prioriteteve, sepse nëqoftëse kemi bashkëpunim ekonomik, të gjitha njëherë duhet të vijnë prapa dhe ajo çka është më shqetësuese është fakti që duhet më tepër të bëhet për eliminimin e barriarave doganore se sa të flitet. Kam ndrojë se shumë më tepër flihet se sa bëhet dhe dua të besoj se rekomandimet që dalin nga ky forum duhet të jenë në këtë funksion: që për ekonominë dhe bashkëpunimin ekonomik duhet pragmatizëm dhe hapi i parë që duhet të jetë është eliminimi i procedurave burokratike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë sa i përket kalimeve kufitare dhe defitinivisht të mendojmë dhe gjejmë forma të avancuara të bashkëpunimit ekonomik. Jo të jemi aktivë vetëm në të dy tregjet, por bashkarisht të krijojmë konsorciume, sipërmarrje të përbashkëta dhe të jemi aktivë në tregje të treta dhe më tutje. Ekziston potenciali, duhet vetëm gatishmëri”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, në momentin e hartimit të paketave fiskale, të dy vendet duhet që të harmonizojnë masat, sidomos ato procedurale, që të lehtësohet klima e biznesit.
“Në rend të parë kemi kërkuar unifikim të dokumentacionit, në rend të dytë kemi kërkuar harmonizim të certifikatave dhe të licencave dhe e treta që do të kërkojmë në një periudhë afatshkurtër, jo menjëherë, do të jetë unifikimi i politikave të ndryshme fiskale që vërtëtë ky unifikim të mos jetë model vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por të jetë një model dhe për botën ekonomike të rajonit dhe më gjerë. Po e them, jemi në vlugun e debatit për një treg rajonal. Duhet vërtet të jemi të përgatitur, të mos jemi barrë e procesit integrues, por të jemi pjesë e ndërtimit të integrimit në familjen europiane që bashkarisht e kemi synim”, shtoi kryetari i OEK.
Në jo pak raste gjatë viteve të fundit ka patur “përplasje” mes bizneseve reciproke. Por gjithashtu sidomos në sistemin doganor janë bërë lehtësime mes dy administrative.