Trashëgimia
Çarshia e Pejës – si vend i komunikimit dhe qendër tregtare
Nevojat për të komunikuar dhe shkëmbyer apo shitur mallrat ka krijuar disa zona të caktuara që njihen me emrin “çarshi”. Çarshitë e vjetra kryenin funksionin e sotëm të qendrave tregtare apo zonave ekonomike tashmë shumë të popullarizuara. Vendndodhja e tyre lidhej kryesisht me vendet më të frekuentuara, nga kalonin rrugë të rëndësishme si në qendër të qyteteve apo afër lumenjve, duke e bërë jo vetëm tregtimin e mallrave, por edhe një lloj komunikimi kishin rolin e qendrave sociale, kulturore, fetare e financiare.
Çarshia e Pejës është ndërtuar në qendër të qytetit shumë afër pranë rrjedhës së lumit, dhe ky lokacion daton që nga shekulli XV. Sipas burimeve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturo-Historike në bazë të një regjistrimi të vitit 1835, “Çarshia e Vjetër” e Pejës kishte 8000m2 hapësirë me rreth 550 dyqane në të cilat zhvilloheshin rreth 56 zeje të ndryshme. Kjo hapësirë ndahet në rrugicat më përmbajtje zejtare, të cilat lidhin çarshinë më rrugë të tjera. Rrugicat harkore në Pejë janë të njohura si ”Okole“, që rrjedhin nga gjuha serbe “okol” e në shqip do të thotë “rreth”.
Një relacion mes zejtarisë dhe qytetit të Pejës mund të thuhet se ekziston që nga periudha ilire e deri në ditët e sotme. Kjo veprimtari kishte rolin kryesore në zhvillimin ekonomike të Pejës, ku elementi tregtar përbënte shtresën kryesore qytetare, që përfshinte 43 % të popullsisë. Zejtaria në Pejë arriti kulmin e zhvillimit sidomos në shekujt XVIII dhe XIX. Prodhimi me vlerë artistike në këtë kohë kanë dhënë veçanërisht: argjendarët, saraqët, terzinjtë, qeleshepunuesit dhe zeje tjera.
Duke e parë këtë zhvillim u krijuan edhe grupet e zejtarëve (esnafët) të cilat merreshin me organizimin dhe rregullimin e zejtarisë si sektor i veçantë në ekonomi si dhe promovimin e punës artistike të mjeshtërve të artizanateve. Pra, zejtaria si sektor ekonomik paraqet një segment të veçantë të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Pejë. Kryesisht zejtaria është përcjell në brezat familjar.me kalimin e kohës , zhvillimet sociale në industri e tregti ndikuan që shumë nga këto zeje të shuhen dhe të mos përcjellën tradicionalisht për shkak të tregut të kufizuar dhe përfitimeve të pakta. Sot, kohës i kanë mbijetuar vetëm disa prej tyre, që mundohen të plotësojnë nevojat e popullatës edhe pse me shumë vështirësi mbijetojnë dhe ofrojnë produkte profesionale.
Historia është treguar e pamëshirshme me Çarshinë e vjetër të Pejës ku gjatë periudhave të ndryshme ka pësuar shkatërrime si djegie apo ndërtime pa respektuar planin urbanistik por që me këmbëngulje është ruajtur autenticiteti i thelbit. E fundit ka qenë luftën e vitit 1999, kur është djegur në masë të madhe.
Në vitin 2015 Komuna e Pejës së bashku me Bashkësinë Evropiane dhe organizatën “Promotion of Heritage Management PHM West “, kanë filluar realizimin e projektit për rivitalizimit e çarshisë së vjetër të Pejës. Ky projekt u inaugurua me 7 Nëntor 2016. Projekti ka kushtuar rreth 700 mijë euro, prej të cilave 500 mijë euro janë financuar nga Bashkësia Evropiane, ndërsa pjesa tjetër është ndarë nga Komuna e Pejës.
Rivitalizimi ka përmisuar infrastrukturën e çarshisë dhe ka ruajtur elementet karakteristike të saj që datojnë nga periudhat e hershme. Së bashku me rivitalizimin e çarshisë është krijuar edhe qendra e zhvillimit artizanal. Kjo qendër ofron mësime për mbi 12 zanate. Zejtarët janë shprehur të kënaqur me mënyrën e rivitalizmit të çarshisë dhe përkrahjen që këtij vend t’i kthehet nami i dikurshëm.
Sot, kjo çarshi mbetet pikë referimi e zhvillimit të bizneseve dhe çmohet për vlerat kulturo historike dhe është pjesë kyqe në zhvillimin e turizmit kulturor.
/Ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login