Aktuale
Këto janë top projektet infrastrukturore për vitin 2018
Projektbuxheti i vitit 2018 do të ketë një vlerë totale investimesh publike prej 77.6 miliardë lekësh, nga ku pothuajse 1/3, ose 22.7 miliardë do të shkojnë për projekte në fushën e transportit rrugor.
Projekti me vlerën më të madhe është ai i ndërtimit të Rrugës së Arbrit, e cila do të financohet përmes skemës së partneritetit publik-privat. Ky projekt ka një kosto totale prej 33.7 miliardë lekësh, por në buxhetin e vitit 2018 nuk llogaritet as edhe një qindarkë, pasi pagesa do të bëhet e shpërndarë në buxhetet e viteve të ardhshme, duke nisur nga 2019 me 2.1 miliardë lekë.
Kështu, në buxhetin e planifikuar për vitin e ardhshëm, shpenzimi më i madh në zërin “Transporti Rrugor” i takon Unazës së Re të Tiranës, me 4.1 miliardë lekë. Kjo vlerë do të shkojë për financimin e kostos totale prej 12.3 miliardë lekësh, për të cilën kësti i fundit do të paguhet në 2019-ën.
1.3 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për rrugën “Fushë Krujë-Milot-Morinë”, segmentin e Rrugës së Kombit që vitin e ardhshëm mbyll kështu financimin e projekt me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.
Për vazhdimin e rrugës “Qafë Thanë-Lin-Pogradec” do të shpenzohen mbi 1 miliard lekë, ose gjysma e investimit total ndër vite prej 2.4 miliardë lekësh.
Pjesa tjetër e financimit do të shpërndahet si më poshtë për projekte si By Pass-i i Shkodrës, rruga Elbasan-Banjë dhe Korçë-Ersekë.
Fondi për vitin 2018 | Kostoja totale e projektit | |
FUSHË KRUJË-MILOT-MORINË | 1,371,251 | 4,218,219 |
PLEPA-KAVAJË-RROGOZHINË | 44,515 | 4,695,279 |
LUSHNJE-BERAT | – | 1,396,396 |
QAFË THANË-LIN-POGRADEC | 1,039,588 | 2,473,856 |
RRUGËT LIDHËSE ME BREGDETIN JON | – | 608,716 |
UNAZA E RE E TIRANËS | 4,125,426 | 12,306,909 |
RRUGA E ARBËRIT | – | 33,745,652 |
BERAT-BUZUQ-ÇOROVODË | – | 838,374 |
ELBASAN BANJE | 548,430 | 3,923,944 |
KARDHIQ-DELVINË | – | 1,731,753 |
URA E LEKLIT- KËLCYRË | 298,741 | 423,603 |
3 URAT-LESKOVIK | – | 813,232 |
KORÇË-ERSEKË | 496,458 | 2,871,151 |
BYPASS SHKODËR | 657,841 | 1,892,663 |
LIBRAZHD-QAFË STUDE | 170,540 | 453,755 |
SKRAPAR – PËRMET | 150,000 | 4,671,199 |
EMERGJENCAT | 379,011 | 752,006 |
KODER KAMEZ TAPIZE | 90,405 | 432,778 |
Ndërkohë, nga fondet e huaja, pjesa më e madhe e buxhetit prej 7.3 miliardë lekësh, do të shkojë për ndërtimin e tre lotëve të segmentit Qukës-Qafë Pllocë. Pas projektit të financuar nga Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit, investimi publik me vlerë më të madhe për vitin e ardhshëm i takon një tjetër projekti të BIZH dhe Abu Dhabit. Bëhet fjalë për segmentin e parë dhe të tretë të rrugës Tiranë-Elbasan, e cila pritet të përfundojë brenda këtij viti.
Një pjesë e madhe e buxhetit do të shkojë për mirëmbajtjen e rrugëve, projektit të financuar nga Banka Botërore. Për vitin e ardhshëm, vlera e investimeve në këtë fushë do të kapë shifrën 1.5 miliardë lekë.
Grupin e investimeve të mëdha me fond të jashtëm në infrastrukturën rrugore e mbyllin dy By Pass-et e Fierit dhe të Vlorës, të financuara nga BERZH, të cilat u zvarritën në punime nga fituesi i parë i tenderit. Vlera e përbashkët e financuar për këto dy projekte në vitin 2018 është 830 milionë lekë.