Featured
Rritet taksa për pronat
Ministria e Financave në Shqipëri ka hartuar Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit 2018, në të cilën janë bërë disa ndryshime ligjore, që do të kenë jo pak ndikim në xhepat e qytetarëve.
Kështu, sipas projeksionit të Ministrisë së Financave, në regjimin e TVSH-së do të përfshihen bizneset që kanë xhiro 2 milionë lekë e sipër. Po ashtu, do të rritet taksa e pronave, cilado qoftë ajo, shtëpi, dyqan, truall, etj. Do të rritet dy herë akciza e duhanit, do të ndryshojë taksa për automjetet luksoze, etj. Lehtësira do të kenë bizneset e mëdha, sidomos ato që investojnë në turizëm.
Taksa e pasurisë
Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave, duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës; Ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficiencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës; Riklasifikim i taksës së tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike); Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
Tatimi mbi të ardhurat
Incentivimi për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për Strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit. Incentivimi në fushën e prodhimit të softëare-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishëm për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor i kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik. Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milion lekë.
Tarifat doganore
Ndryshime në ligjin “ Për miratimin e tarifës doganore”, nëpërmjet të cilit synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.
Çmimi i duhanit
Ky ligj synon të ndryshojë nivelin e akcizës së cigareve që përmbajnë duhan, për vitin 2018. Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5 750 lekë/1 000 copë. Me këtë projektligj propozohet që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2018 të jetë në nivelin 5 850 lekë/1 000 copë. Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Efekti në të ardhurat e buxhetit e shtetit parashikohet të jetë + 1,097 milionë lekë.