Aktuale
“Kompanitë hasin në probleme të mëdha për të marr pjesë në tendera jashtë Kosovës”
Gjithçka po e ka fokusin në normalizimin politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë se sa bashkëpunimin ekonomik, kështu ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovës” të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Ai ka theksuar se shkak i këtij raporti, kompanitë nga Kosova po hasin në probleme të shumta kur marrin pjesë në tenderë të ndryshëm jashtë Kosovës.
“Ka kompani nga Kosova që kanë plotësuar të gjitha kushtet për të fituar tender në Serbi, por janë eliminuar vetëm për një gjë, që janë nga Kosova”, tha ai.
Sipas tij megjithëse i plotësojmë kushtet, në Serbi është shumë prezent nacionalizmi ekonomik.
Gërxhaliu tutje ka shtuar se mes dy këtyre shteteve duhet të ketë më shumë dialog konkrete, meqë kur kalohet kufiri ndërmjet dy këtyre vendeve, bizneset ndeshen me barriera të mëdha në dy anët.
Sipas tij është një dimension psikologjik që është krijuar në dy anët. “Politika është determinuese e bashkëpunimit. Ka probleme dhe faktorizim të rrymave të ndryshme në Serbi që kjo nuk është mirë”, tha kryetari i OEK-ut.
Ai tha se Procesi i Berlinit në Beograd ka marrë një pompozitet. “Është një obligim i institucioneve vendore që të shfrytëzohen iniciativat e madha që ne të ecim. Si mund të ecim përpara, kur kemi barriera nga Serbia, e mos të flasim për Bosnjën. Ardhmëria në rajon është e ndritshme, kur jemi të barabartë”, tha Gërxhaliu.