Prokuroria Speciale e Kosovës, më 07.06.2024, ka ngritur aktakuzë ndaj dy anëtarëve të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dren Kukaj dhe Genc Sherifi, si dhe ndaj anëtarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Vesel Makolli, për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar në kohën sa kanë qenë anëtarë të Bordit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Aktakuza ndaj tyre ka të bëjë me projektin afaristo-banesor të NPB-së, që ka qenë i planifikuar të ndërtohet në lagjen ‘Lakrishte’ të Prishtinës. Ata, sipas Prokurorisë, dyshohet se mundësuan tjetërsimin e pronës në vlerë 28 milionë e 700 mijë euro, si dhe mundësuan përfitimin pasuror te personat e tretë.
Dren Kukaj në mandatin e dytë të Shpend Ahmetit si kryetar i Komunës së Prishtinës, ka qenë drejtor i Mirëqenies Sociale në këtë komunë, ndërsa Genc Sherifi dhe Vesel Makolli kanë qenë asamblist. Sherifi i PSD-së, ndërsa Makolli i AKR-së.
Të tre së bashku kanë qenë anëtarë të Bordit të Aksionerëve të NPB-së, të cilët, dy emërohen nga Kuvendi Komunal dhe njëri emërohet nga kryetari i Komunës. Detyrat e tyre ka qenë mbikëqyrja e Bordit të Drejtorëve të NPB-së.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, e të cilën e ka siguruar Kallxo.com, thuhet se Kukaj, Sherifi dhe Makolli në cilësinë e anëtarëve të Bordit të Aksionarëve të NPB-së, “me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë, në dëm të pronës publike, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që fillimisht me datë 15.01.2021 në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, kanë ndryshuar Statutin e NPB-së, me qëllim që të njëjtin t’ia përshtatin procesit lidhur me Projektin për ndërtim në lagjen Lakrishte”.
“Në Statutin e ri të NPB-së, ndryshojnë nenin 7 që parasheh fushëveprimtarinë e NPB-së, duke vënë si aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore” – thuhet në aktakuzë.
Më pas, me datë 22.04.2021 kanë marrë vendim në bazë të të cilit kanë miratuar draft-marrëveshjen kryesore për bashkëinvestim, pra kontratën, edhe pse e kanë ditur se në bazë të kontratës në fjalë prona e paluajtshme nën menaxhim të NPB-së, sipas Prokurorisë, është tjetërsuar në pronësi private tek kompanitë të cilat do të ndërtonin projektin, në tërësi në shfrytëzim të përhershëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të njëjtëve t’ua ndalojë ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe të urdhërohen për kompensimin e humbjes apo dëmit.
Më 04.11.2021, në Kallxo.com ishte publikuar hulumtimi që pikërisht tregonte për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen “Lakrishte” të kryeqytetit.
Në këtë hulumtim tregohet se si ish-bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakrishte.
Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit./Media Ndërtimi