Connect with us

Ambienti

Ngrohja e klimës po rrezikon liqenet akullnajore të Shqipërisë

Published

on

Liqenet akullnajore në vendin tonë po tkurren me ritme të shpejta si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe kjo po cenon integritetin e biodiversitetit në këto ekosisteme. Bimësia dhe biota shtazore e liqeneve akullnajore janë të ndikuara direkt nga sasia, shkalla dhe dinamizmi i mbulesës së dëborës. Fenomene të ngjashme po ndodhin edhe në Alpet Evropiane, të cilat po përballen më ritme të shtuara të zhdukjes së sipërfaqes akullnajore.

Liqenet akullnajore të Shqipërisë zënë një hapësirë të konsiderueshme të ekosistemeve ujore dhe strehojnë një shkallë të lartë biodiversiteti. Aktualisht, ka më shumë se 1300 trupa ujorë të shpërndarë në të gjithë vendin, duke përfshirë lumenjtë, liqenet, pellgjet, lagunat bregdetare, habitatet detare dhe deltat lumore, nga të cilat 87 janë liqene akullnajore me një sipërfaqe totale prej 2.4 km2. Përhapen nga kufiri me Malin e Zi në veri, e deri në liqenin e Gramozit në Jug-Lindje, pranë kufirit me Greqinë. Dendësia mesatare e tyre është më e lartë në Alpet Shqiptare, në Masivin e Korabit dhe në Lurë, teksa vjen duke u ulur në malet e Gramozit dhe të Jabllanicës, shkruan Mjedisi Sot.

Akullnajat e maleve shqiptare kanë ngjashmëri me ato të viseve të tjera mesdhetare dhe dinarike, dhe mendohet se i përkasin periudhës së Pleistocenit të vonë. Komunitetet biotike të ujërave të ëmbla janë komponentë të rëndësishëm të funksionimit të liqenit dhe duke marrë në konsideratë pozicionin e tyre të vendosur në lartësi të mëdha, si dhe origjinën e tyre akullnajore, të dyja grupet e bodiveristetit, vegjetacioni dhe fauna e liqeneve akullnajore, shihen me interes të lartë për t’u studiuar pasi edhe të dhënat shkencore për to janë të pakta.

Gjatë dekadave të ardhshme, pritet të ndodhin ndryshime të konsiderueshme të klimës, duke i vendosur ekosistemet ujore të Mesdheut në vend të parë për nga cenueshmëria. Duke qënë të pozicionuara në lartësi specifike mbi nivelin e detit, ekosistemet e liqeneve akullnajore po shfaqin ndryshime të shpejta si pasojë e zvogëlimit të mbulesës akullnajore dhe rritjes së shpejtë të temperaturës.

Shkrirja e shpejtë që po ndodh në Alpet Evropiane është një nga treguesit kryesorë gjeologjikë që shkaktare kanë ndryshimet klimatike. Që nga fundi i periudhës së pagëzuar me emërtesën Epoka e Vogël e Akullnajave (përafërsisht 1650-1850), sipërfaqet e mbuluara me akullnaja janë përgjysmuar me mbi 50%.

Qëndrueshmëria ekologjike duhet të integrohet në shërbimet e ekosistemeve dhe në planet kombëtare së zonave të mbrojtura. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në përputhje me parimet e fundit të Bashkimit Evropian. Pavarësisht objektivave të strategjive ndërkombëtare për të parandaluar humbjen e biodiversitetit, perpjekjet kanë qënë gjithnjë sfiduese, kështu që për këtë arsye lind nevoja për mbështetje shkencore dhe teknike për menaxhim e këtyre ekosistemeve.

Duke qenë se Shqipëria karakterizohet nga nja numër i madh i sipërfaqeve liqenore të larta alpine, duhet patjetër që si pjesë e zonave të mbrojtura, këto ekosisteme të trajtohen me përparësi, duke ju kushtuar vëmendje të shtuar ruajtjes së tyre./Media Ndërtimi

Ambienti

Raportimi në media për ndryshimet klimatike duhet të kthehet në prioritet

Published

on

Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën dhe shkencëtarët, por edhe për të prodhuar konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.

Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.

Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun.

Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.

Takimi është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i rolit të medias në adresimin e emergjencës klimatike,” të mbështetur nga Smart Balkans, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, dhe koordinuar në nivel rajonal nga Shkolla e Gazetarisë Novi Sad./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës!

Published

on

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës dhe sistemet e saj ujore janë nën stres në rritje. Mungesa e ujit prek 30% të evropianëve dhe 20% të tokës çdo vit. Në fakt, 70% e qytetarëve evropianë kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ujit dhe mungesën e ujit, e megjithatë pothuajse gjysma e tyre nuk ndihen mirë të informuar për problemet që lidhen me ujin në vendin e tyre.

Kjo është arsyeja pse fushata #WaterWiseEU u prezantua së fundmi, një nismë që do të kontribuojë drejt një Evrope elastike ndaj ujit deri në vitin 2050.

Cikli ynë i ujit, procesi me të cilin uji lëviz nëpër tokën, detet dhe atmosferën e Tokës, është i ndërprerë dhe duhet të rregullohet. Aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike po dëmtojnë ekosistemet dhe po çojnë në më shumë avullim, më shumë përmbytje, më shumë thatësirë ​​– dhe më pak ujë për ne dhe gjithë jetën tjetër që varet prej tij.

Fushata e komunikimit #WaterWiseEU, e cila do të zgjasë deri në vjeshtë, synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth kësaj dhe të ndriçojë në qendër të vëmendjes zgjidhjet e shumta të disponueshme. Zgjidhje të tilla si rritja e ruajtjes natyrore të ujit, rimbushja e ujit nëntokësor dhe rindërtimi i shëndetit të tokës, por edhe menaxhimi i zgjuar i ujit, efikasiteti i ujit dhe ripërdorimi.

Duke punuar së bashku, ne mund të ndryshojmë perceptimet ekzistuese për ujin dhe ‘Shiko ujin ndryshe’, siç thuhet në sloganin zyrtar të fushatës.

Fushata ka zhvilluar një sërë asetesh, duke përfshirë pamje të gatshme dhe mesazhe, të cilat po i vë në dispozicion të partnerëve të fushatës për t’i përdorur. Partnerët inkurajohen t’i përdorin këto mjete për të ndezur një bisedë, për të organizuar ngjarje dhe për t’u lidhur me veprimet e tyre të komunikimit./Media Ndërtim

Continue Reading

Ambienti

Zgjerohen shtigjet në Parkun e Gërmisë drejt Gollakut

Published

on

Projekti i zgjerimit të shtigjeve në Parkun e Gërmisë është një iniciativë e rëndësishme që ka mundësuar ndërlidhjen e zonave të banimeve përreth Parkut të Gërmisë me rrjetin qendror të shtigjeve. Ky projekt përfshiu katër shtigje të reja të cilat u inkorporuan në hartën e përgjithshme turistike të Parkut të Gërmisë, të plotësuar me:

Harta të Detajuara: Sigurimi i hartave të reja dhe të azhurnuara për vizitorët.

Digjitalizim: Përfshirja e shtigjeve në platforma digjitale për lehtësimin e aksesit dhe navigimit.

Shenjëzim: Vendosja e shenjave orientuese dhe informative për të drejtuar vizitorët në shtigje të ndryshme.

Kioska Informative Malore: Krijimi i kioskeve që ofrojnë informacione të nevojshme për vizitorët.

Kryeqyteti Prishtina vazhdon të avancojë drejt konceptit shëndetësor, rekreativ dhe turistik të shtigjeve. Ky projekt ka vendosur këtë zonë në hartën turistike dhe kulturore të rajonit, duke promovuar:

Turizmi i Qëndrueshëm: Përqendrimi në aktivitete që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që mbështesin ruajtjen e tij.

Ambientalizmi: Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.

Gjithëpërfshirja: Përfshirja e banorëve të Prishtinës në proceset vendimmarrëse dhe aktivitete mjedisore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending