Liberalizimi i vizave për Kosovën nga fillimi i këtij viti ka rritur fluksin e udhëtimeve të qytetarëve të saj drejt vendeve të Europës. Agjencitë turistike raportojnë se është rritur interesi drejt Greqisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Austrisë, përpos vendeve të BE-së, ku diaspora e Kosovës është e vendosur prej vitesh.
Një kontekst i tillë për Shqipërinë do të thotë fund i turizmit patriotik dhe përballja me një realitet të ri, ku shqiptarët e Kosovës do të duhet t’i mbajë pranë vetes, duke qenë konkurruese dhe duke ofruar infrastrukturë të përshtatshme. Tani do të jemi përpara garës së ofertës.
Në vitin 2018, me 100 euro, një shtetas nga Kosova mund të merrte rreth 130 lekë. Sot, 100 euro këmbehen me rreth 100 lekë, ose rreth 24% më pak, ndërkohë që edhe çmimet e shprehura në lekë janë më të shtrenjta.
Zhvlerësimi i Euros kundrejt Lekut dekurajoi disi turistët e Kosovës që vitin e shkuar për të vizituar Shqipërinë.
Heqja e vizave ishte një arsye për shumë që të shkonin drejt vendeve të reja ku vlera e parasë së tyre nuk humbet.
Udhëtimet e mijëra qytetarëve të Kosovës në këto destinacione të reja janë përfitim për ekonomitë ku po shpenzohen dhe sado që përbëjnë një fraksion të vogël të peshës totale sërish janë një kontribut pozitiv. Por cilët janë në fakt vendet që po përfitojnë më shumë nga ky moment i ri i Kosovës.
Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) bëri të ditur se nga janari e këtej, qytetarët e Kosovës e kanë “pushtuar” Greqinë, madje sipas tyre qytetarët po shpenzojnë miliona euro për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë.
“Greqia po bëhet vendi më i preferuar i shtetasve të Kosovës për të vizituar gjatë javës, sidomos pas janarit të këtij viti, që mesatarisht në javët e kaluara kanë ikur mbi 2500 vizitorë për fundjavë, për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë, mesatarisht po shpenzojnë mbi 1 milion euro për konsume, sigurime të makinave dhe blerje” kanë deklaruar nga AKB.
Sipas kësaj të fundit, këto vizita po i bëjnë të mundura edhe ofertat e lira të kompanive turistike.
“Rritja e fluksit të udhëtarëve po bëhet e mundur edhe nga organizimet e ndryshme me autobus të disa kompanive dhe agjencive turistike me oferta të lira nga Kosova për të shkuar në Selanik për vetëm 8 euro”, pohojnë ata.
Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se pas liberalizimit të vizave po përfitojnë disa shtete që tradicionalisht ishin të vizituara nga qytetarët deri rreth viteve ‘91.
“Nga liberalizimi i vizave për Kosovën më së shumti po përfitojnë shtete që tradicionalisht ishin të vizituara nga kosovarët deri rreth viteve ’91 kur shtetet e BE-së aplikojnë viza për ish-Jugosllavinë” pohojnë nga kjo Aleancë.
Fundi i turizmit patriotik, Shqipëria një vend si të gjithë, pushuesit do eksplorojnë
Turizmi patriotik është një term i lakuar shpesh për peshën që ka në vendin tonë. Por duket sikur kjo formulë e turizmit patriotik funksionon vetëm për njërin kah, pra pritshmëria që shqiptarët e Kosovës të vijnë drejt Shqipërisë, ndërkohë nuk ndodh e njëjta pritshmëri për shqiptarët e Shqipërisë drejt Kosovës.
Oferta e dy vendeve sigurisht është e ndryshme dhe në favor ka qenë gjithmonë bregdeti, por reciprociteti edhe në një nivel më modest ka munguar.
Liberalizimi i vizave e bën më të barabartë tregun tonë turistik përballë Kosovës, e cila ka më shumë alternativa dhe do të zgjedhë të shkojë aty ku e sheh të arsyeshme.
Kjo nuk do të thotë që do të braktisë Shqipërinë, por në këtë fazë, turisti i Kosovës nuk do të bëjë një “zgjedhje” të detyruar patriotike, por një zgjedhje të ndikuar nga çmimi, shërbimi dhe oferta e përgjithshme turistike./Media Ndërtimi