Aktuale
Projektbuxheti 2018 në Qeveri, rritje në të ardhura e shpenzime
Qeveria pritet të rrisë ndjeshëm investimet kapitale të cilat parashikohen rreth 86 miliardë lekë. Por vitin e ardhshëm qeveria është treguar dorështrënguar në fondin për politika të reja pagash e pensionesh.
Ministria e Financave ka finalizuar ligjin më të rëndësishëm vjetor, buxhetin e shtetit për vitin 2018. Në draftin paraprak që financat kanë dërguar në qeveri, e që pritet të miratohet së shpejti parashikohen 496,6 miliardë lekë shpenzime në total, me një rritje 27.1 mld lekë krahasuar me këtë vit. Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë për investime publike.
Ndryshe nga katërvjeçari i fundit, në 2018 qeveria do të rrisë ndjeshëm investimet kapitale të cilat në draftin paraprak parashikohen rreth 86 miliardë lekë apo 16% më shumë se viti aktual. Pjesa më e madhe e investimeve do të financohen nga burime të brendshme ndërkohë që 30.5 miliardë lekë do të jenë financim i huaj.
Ndryshe nga shpenzimet kapitale, vitin e ardhshëm qeveria është treguar dorështrënguar sa i përket fondit për politika të reja pagash dhe pensionesh. Nga ana tjetër, sipas planit, totali i të ardhurave për vitin 2018 arrin në 464.3 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4% në krahasim me vitin aktual. E thënë ndryshe qeveria pret të mbledhë në buxhet 27.8 miliardë lekë më shumë të ardhura nga taksat vitin tjetër.
Nga këto para, kontributin më të madh do ta japë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me 9.5 miliardë lekë më shumë me bazë vjetore. Po ashtu, financat llogarisin 4.2 miliardë lekë më shumë nga tatim fitimi dhe 3.7 miliardë lekë më shumë nga akciza. Ndërsa nga taksa mbi pasurinë financat kanë llogaritur 2.8 miliardë lekë të ardhura më shumë se viti aktual. Në draftin e 2018 deficiti në buxhetin e shtetit llogaritet të jetë 2.2 % e prodhimit kombëtar, ndërsa borxhi publik në nivelin 69% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.