Ndërtim
Muzeu Etnologjik në Prishtinë në rrezik të shembet, fillon restaurimi
Hapësira më e madhe e katër mureve është zhveshur krejtësisht nga fasada. Disa prej copave janë shpërndarë edhe nëpër tavolina ekspozuese si dëshmi e materialit të përdorur gjatë viteve.
Objekti i shekullit XIX i kompleksit “Eminxhik”, që shërben si Muze Etnologjik, është “qëruar” deri tek tullat e papjekura e thuprat, si dhe trarët që kanë shërbyer për t’i lidhur ato. Të hënën restauruesit kanë larguar fasadën e çardakut në këtë objekt, njëri prej katër sa ka kompleksi, shkruan Koha Ditore.
Ka më shumë se dy muaj prejse vizitorët nuk kanë pasur qasje në këtë monument e gati kaq edhe ka pritur që të nisë restaurimi, puna për të cilin ka filluar në ditët e para të tetorit. Monumenti është rrethuar me skele dhe material që e pamundëson të shihen muret.
Ato që restauruesit i quajnë tërska kanë dalë në pah gjithandej dhe shihen se kanë qenë lidhëse të llaçit me tullat e papjekura. Çarjet e mureve, që ka kohë që shiheshin, tashmë dalin të jenë goxha serioze si pika ku vërehej se struktura po zhbëhej. Punonjësit kanë ardhur në konstatim se ndërtesa e vjetër që shërbente si shtëpi qytetare rrezikohej seriozisht nga mosndërhyrja. E për këtë gazeta ka raportuar disa herë.
Izri Gashi, Fadil Krasniqi e Lan Bajrami, të ndihmuar nga arkitektja Lindita Cërvadiku e etnologët Ilir Sopjani dhe Bekim Xhemili janë ekipi që kanë marrë për detyrë ta restaurojnë objektin.