Infrastrukturë
Rama: Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit luan rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një Prishtine më të mirë për të gjithë
Published
6 months agoon
Si Kryetar i Prishtinës, mbaj barrën dhe privilegjin e një detyre të rëndësishme, për të cilën qytetarët më kanë besuar me votën e tyre. Përveç obligimeve të përditshme dhe përmbushjes së premtimeve, kjo detyrë më jep mundësinë për të treguar arritjet dhe planet tona për të ardhmen.
Por, më e rëndësishmja, ajo që bën diferencën është koncepti i Arkitektit të Kryeqytetit – një institucion kyç që ndihmon në krijimin e një narrative të re për qytetin tonë. Duke harmonizuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit luan një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një Prishtine më të mirë për të gjithë.
Të qenit i zgjedhur me votë, përveç barrës dhe privilegjit, ka një tjetër dimension të ndryshëm nga gjithçka tjetër: rikujtimin.
Nuk mund të harrosh asnjëherë që të kanë zgjedhur dhe që, mu për këtë arsye, ke disa obligime të cilat i ke marrë që atë ditë.
“Kryetar, po kjo… është një prej togfjalëshave që të bie t’i mësosh përmendësh, i cili në të shumtën e rasteve shoqërohet me pyetje për ndonjë punë që po kryhet a ndonjë projekt të premtuar. Ta thonë të gjithë, përditë dhe kudo. Dhe, ndryshe nga ç’mund të duket në pamje të parë, kjo nuk është një diçka që dua ta shmang. Përkundrazi, është një mundësi. Një rast për të treguar atë që kemi bërë, po bëjmë dhe do të bëjmë, më shpejt dhe më mirë se kushdo tjetër, për Prishtinën.
Asnjë qyteti dhe veçanërisht një kryeqyteti, sado i madh apo i vogël të jetë, s’i mungojnë asnjëherë rrëfimet dykohëshe: për të tashmen dhe të shkuarën.
Si jemi? Dhe, si ishim?
Të dy këto janë pyetje të thjeshta, të cilave, shpeshherë, mjafton kujtesa për t’u kthyer përgjigje. Sepse njerëzit i prekin përditë dhe janë në memorien e çdonjërit, të të gjithëve së bashku. Atë që plot qytete s’e kanë dhe sa më i vogël të jetë qyteti aq më i vështirë, madje i pamundur, ngjan të menduarit dhe ndërtimi i tij, është rrëfimi për të ardhmen. Krijimi i tij kërkon një ekuilibër të ndërlikuar midis njohjes së trashëgimive historike, sfidave të së sotmes dhe mundësive për të ardhmen.
Dhe, më tepër se gjithçka tjetër, njohjen e qytetit, të njerëzve të tij. Prishtinasve dhe vetë Prishtinës i duhet një kapërcim i tillë, që del nga përshkrimi I çfarë jemi e çfarë ishim, për të ravijëzuar çfarë do dhe duhet të jemi, përtej dimensioneve e kufizimeve fizike, duke krijuar kështu një diskurs më të gjerë në çështjet urbane, atë të qytetit si rrëfim trekohësh. Prandaj, Prishtina e së ardhmes, më tepër se togfjalësh, që merr trajtën e një slogani politik, është nevojë dhe domosdoshmëri për qytetarët e saj.
Për vetë ekzistencën dhe vijimësinë e të qenit qyteti më i rëndësishëm i vendit (duke synuar që të mos mbetet thjesht i tillë), në kontekste të reja dhe në transformim të vazhdueshëm, madje.
Ne duam dhe punojmë përditë që prishtinasit të ndjehen krenarë për qytetin, që është i tyre jo thjesht ngaqë jetojnë në të, por sepse ata janë bashkëkrijues të një rrëfimi të ri për Prishtinën. Është një rrugë e vështirë dhe me plot sfida, kjo që kemi nisur para gati njëmijë ditësh. Mirëpo, jemi të pamëdyshje në këtë ecje tonën përpara, së bashku me ju, ngaqë jemi të bindur se, vetëm kështu, qyteti të cilin e duam, do të bëhet qytetitë cilin do ta duan dhe qyteti i duhur për fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë.
Do Ecim bashkë, drejt qytetit në të cilën 200 mijë prishtinas do të mund të arrijnë në sheshet e qytetit, pa asnjë pengesë. Bulevardi qendror i qytetit, që prej sheshit të Flamurit deri tek qyteti i vjetër, që do t’ua kthejë qytetin qyetarëve, do t’i lidhë të gjithalagjet e qytetit. Për ta bërë të mundur këtë po punohet për mbikalimet në lagjen Arbëria dhe rrugën “Agim Ramadani”; nënkalimet në rrugën “Agim Ramadani” dhe në udhëkryqin e sheshit “Xhorxh Bush”; pasarelën e Hotelit Grand dhe riorganizimin e tërësishëm të trafikut në qytet. Këmbësorët do të jenë të parët, por as shoferët nuk do të presin më me orë në trafik.
Në epokën digjitale nuk ka arsye të humben orë të tëra duke pritur në radhë. Ecja jonë digjitale nënkupton që, për të gjitha shërbimet të cilat tani merren në komunë, do të krijohen mundësi të realizimit online. Edhe kur ato janë shumë më teknike, siç kemi bërë me platformën “e-Leja”, përmes së cilës mund të realizohet aplikimi dhe marrja e kushteve dhe lejeve ndërtimore në mënyrë krejtësisht digjitale dhe të cilës ia kemi bashkëngjitur edhe nënshkrimin digjital përmes “e-Nënshkrimi”, si dhe mundësinë e përcjelljes së krejt procesit duke përdorur “e-Përcjellja”.
Po presim të na e japin lejen, që t’ua japim juve “e-Lejen”. Kemi digjitalizuar ndërtesa të rëndësisë së veçantë historike dhe po e digjitalizojmë krejt qytetin. Që ta keni dhe ta përdorni ju – të gjithë.
Bashkë me ju kemi arritur të bëhemi qyteti mikpritës i Lojërave Olimpike Mesdhetare.
Është duke u punuar fort që, për këtë dhe të ardhmen e sportit prishtinas, të kryhet Masterplani i Fshatit Olimpik dhe kështu Prishtina të kthehet në referencë ballkanike të sportit. Por, jo vetëm kaq. Të kulturës dhe artit, përmes projektit të Tulltores.
Dhe, në një destinacion turistik, përmes ndërhyrjeve restauruese në pjesën e vjetër të qytetit.
Asnjëra nga këto nuk janë ndërmarrje të lehta. Njëmijë e një sfida e pengesa duhen kaluar. Por, politika është shërbim ndaj qytetarit. Dhe që të mund t’u shërbejmë në të sotmen, duke menduar për të ardhmen, ne nuk mund të jemi të vetëm. Për këtë kemi marrë dhe marrim ndihmë profesionale nga ata që janë shumë dhe që ju i njihni për një – si arkitekti i kryeqytetit, dhe që mblidhen të gjithë nën emërtimin Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit. Qindra njerëz punojnë në të gjitha e për të gjitha projektet që i përmenda më lart. Për një rrëfim të ri për qytetin. Për Prishtinën e së ardhmes.
Për ju!
Përfundim
Një qytet nuk është thjesht një vendndodhje gjeografike, por një rrëfim i gjallë që përfshin historinë, të tashmen dhe ëndrrat për të ardhmen. Përmes bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët, ne po ndërtojmë një Prishtinë që reflekton krenarinë dhe shpresat e qytetarëve të saj. Në këtë rrugëtim, roli i Arkitektit të Kryeqytetit është thelbësor, duke siguruar që transformimi urban të jetë i mirëplanifikuar dhe i qëndrueshëm. Me përkushtim dhe përpjekje të përbashkëta, ne po e kthejmë Prishtinën në një qytet që jo vetëm që plotëson nevojat e sotme, por qëndron si një model për brezat e ardhshëm. Kjo është Prishtina e së ardhmes, një qytet i ndërtuar nga dhe për qytetarët e tij.
Ju mirëpres të gjithëve ditën e premte në Konferencën për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit ku do të prezantojmë projektet dhe punët e deritashme.
Shkruar nga Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës/Media Ndërtimi
You may like
-
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
-
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
-
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
-
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
-
Një autostradë dixhitale do të ndërtohet mes Tokës dhe Hënës
-
Develon prezanton ekskavatorin tunelues DX235RTF-7
Infrastrukturë
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
Published
4 months agoon
July 25, 2024Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.
Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.
“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.
Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.
„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.
Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.
“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.
Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.
“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
Published
4 months agoon
July 25, 2024Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.
Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.
Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.
Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.
Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.
Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.
Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.
Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.
Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.
Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.
Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.
Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.
Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.
Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
Published
4 months agoon
July 25, 2024Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.
Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.
Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.
Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi