Connect with us

Ambienti

Aktivisti mjedisor fiton gjyqin kundër kompanisë së TEC-eve lundruese në Vlorë

Published

on

Aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni ka fituar betejën ligjore me kompaninë italiane Renco, e cila e kishte paditur për shpifje.

Në 2022, Ferunaj publikoi një artikull ku ngriti shqetësimet e tij për lidhjet mafioze të kompanisë Renco,  një kompani italiane e nënkontraktuar për zbatimin dhe ndërtimin e projektit madhor të gazsjellësit TAP në Shqipëri.

Ai e bazonte argumentin e tij në një raport të organizatës prestigjoze Bakwatch si dhe në investigime të tjera.

Sipas kompanisë, Ferruni kishte ngritur akuza të pabaza mbi kompaninë dhe lidhjen e saj me mafian italiane dhe raste të provuara ryshfeti në Afrikë.

Ferruni është një zë aktiv në mborjtjen e natyrës dhe ka denoncuar për një kohë të gjatë ardhjen e dy TEC-eve lundruese në Vlorë.

Qendra Respublica që ka përfaqësuar ligjërisht Ferrunin në këtë gjyq, shprehet se “aksioni ligjor ndaj aktivistit Ferrunaj ngjan më shumë me një padi SLAPP, padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Më shumë se fitoren në gjyq, ata synojnë të frikësojnë, konsumojë kohën dhe mjetet monetare të të akuzuarve, pikërisht sepse ata marrin pjesë aktive në ngritjen e ndërgjegjësimit për debate me interes publik”.

Këto lloj padish përdoren shpesh ndaj gazetarëve, por dhe aktivistëve për t’i heshtur ata.

Ferruni në një reagim për mediat pas vendimit, shprehet se ishte i bindur që vendimi ndaj tij do të ishte pafajësi. Por ai mendon se kjo “ndërhyrje prej 1 viti është një përpjekje për të ndaluar dikë që flet për një kauzë të frikshme”.

Mjedisorët kanë pasur një betejë të gjatë kundër ndezjes së dy Tec-eve lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.

Dy Termocentralet lundruese në Vlorë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” prej më shumë se një viti po lundrojnë në gjirin e Vlorës ende pa prodhuar energji. Fillimisht, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se ato do të nisnin prodhimin e energjisë në janar 2023, për të “shpëtuar” kështu vendin “nga kriza energjetike”, e cila nuk ndodhi. TEC-et nuk kanë nisur ende prodhimin, por Ferruni shprehet se nëse ato nisin të prodhojnë do “të jetë një masakër mjedisore”.

Një grup qytetarësh dhe organizatash mjedisore kanë dorëzuar një padi kundër TEC-it lundrues të Vlorës.

Ata kërkojnë rrëzimin e kontratës së qiramarrjes të TEC-it lundrues të instaluar tek porti i peshkimit në Vlorë, të sjellë nga Bangladeshi për të prodhuar energji duke djegur naftë të rëndë./Media Ndërtimi

Ambienti

Raportimi në media për ndryshimet klimatike duhet të kthehet në prioritet

Published

on

Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën dhe shkencëtarët, por edhe për të prodhuar konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.

Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.

Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun.

Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.

Takimi është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i rolit të medias në adresimin e emergjencës klimatike,” të mbështetur nga Smart Balkans, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, dhe koordinuar në nivel rajonal nga Shkolla e Gazetarisë Novi Sad./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës!

Published

on

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës dhe sistemet e saj ujore janë nën stres në rritje. Mungesa e ujit prek 30% të evropianëve dhe 20% të tokës çdo vit. Në fakt, 70% e qytetarëve evropianë kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ujit dhe mungesën e ujit, e megjithatë pothuajse gjysma e tyre nuk ndihen mirë të informuar për problemet që lidhen me ujin në vendin e tyre.

Kjo është arsyeja pse fushata #WaterWiseEU u prezantua së fundmi, një nismë që do të kontribuojë drejt një Evrope elastike ndaj ujit deri në vitin 2050.

Cikli ynë i ujit, procesi me të cilin uji lëviz nëpër tokën, detet dhe atmosferën e Tokës, është i ndërprerë dhe duhet të rregullohet. Aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike po dëmtojnë ekosistemet dhe po çojnë në më shumë avullim, më shumë përmbytje, më shumë thatësirë ​​– dhe më pak ujë për ne dhe gjithë jetën tjetër që varet prej tij.

Fushata e komunikimit #WaterWiseEU, e cila do të zgjasë deri në vjeshtë, synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth kësaj dhe të ndriçojë në qendër të vëmendjes zgjidhjet e shumta të disponueshme. Zgjidhje të tilla si rritja e ruajtjes natyrore të ujit, rimbushja e ujit nëntokësor dhe rindërtimi i shëndetit të tokës, por edhe menaxhimi i zgjuar i ujit, efikasiteti i ujit dhe ripërdorimi.

Duke punuar së bashku, ne mund të ndryshojmë perceptimet ekzistuese për ujin dhe ‘Shiko ujin ndryshe’, siç thuhet në sloganin zyrtar të fushatës.

Fushata ka zhvilluar një sërë asetesh, duke përfshirë pamje të gatshme dhe mesazhe, të cilat po i vë në dispozicion të partnerëve të fushatës për t’i përdorur. Partnerët inkurajohen t’i përdorin këto mjete për të ndezur një bisedë, për të organizuar ngjarje dhe për t’u lidhur me veprimet e tyre të komunikimit./Media Ndërtim

Continue Reading

Ambienti

Zgjerohen shtigjet në Parkun e Gërmisë drejt Gollakut

Published

on

Projekti i zgjerimit të shtigjeve në Parkun e Gërmisë është një iniciativë e rëndësishme që ka mundësuar ndërlidhjen e zonave të banimeve përreth Parkut të Gërmisë me rrjetin qendror të shtigjeve. Ky projekt përfshiu katër shtigje të reja të cilat u inkorporuan në hartën e përgjithshme turistike të Parkut të Gërmisë, të plotësuar me:

Harta të Detajuara: Sigurimi i hartave të reja dhe të azhurnuara për vizitorët.

Digjitalizim: Përfshirja e shtigjeve në platforma digjitale për lehtësimin e aksesit dhe navigimit.

Shenjëzim: Vendosja e shenjave orientuese dhe informative për të drejtuar vizitorët në shtigje të ndryshme.

Kioska Informative Malore: Krijimi i kioskeve që ofrojnë informacione të nevojshme për vizitorët.

Kryeqyteti Prishtina vazhdon të avancojë drejt konceptit shëndetësor, rekreativ dhe turistik të shtigjeve. Ky projekt ka vendosur këtë zonë në hartën turistike dhe kulturore të rajonit, duke promovuar:

Turizmi i Qëndrueshëm: Përqendrimi në aktivitete që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që mbështesin ruajtjen e tij.

Ambientalizmi: Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.

Gjithëpërfshirja: Përfshirja e banorëve të Prishtinës në proceset vendimmarrëse dhe aktivitete mjedisore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending