Statistikat në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gratë në shumicën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia e pronave familjare, vetëm për të mos prishur raportet me vëllezërit e tyre.
Të dhënat e regjistrit të Kadastrës tregojnë se as çereku i pronave të paluajtshme nuk janë në emër të grave.
Njëra nga gratë që ka hequr dorë nga prona e prindërve është edhe Emine B, për shkak të, siç thotë ajo “të mos më mbyllet dera e shtëpisë së babait” në të cilën tani jeton i vëllai, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Sapo kam hapur bisedën e trashëgimisë u ndie një frymë e ftohtë, një situatë e tensionuar. E dini i është te familjet shqiptare dhe pas kësaj, nga frika se më mbyllet dera e shtëpisë së babait, tani e vëllait, nuk e kam hapur kurrë bisedën e trashëgimisë”, thotë ajo.
Edhe Lidija Andovska nga Shkupi nuk ka arritur të trashëgojë një pjesë të konsiderueshme të pronës familjare, pasi kështu kishin vendosur prindërit e saj.
“Djali konsiderohej si shtyllë e familjes dhe ai duhej të trashëgonte pronën për të prezantuar forcën, por edhe besueshmërinë e familjes. Personalisht kjo më ka kushtuar shumë, pasi në mungesë të kapitalit fillestar, për dallim nga vëllai im, unë e kam pasur shumë më të vështirë që të ndërtoj biznesin tim si floktare”, thotë ajo.
Në Ligjin për trashëgiminë, gratë dhe burrat trajtohen në mënyrë të barabartë. Sipas ligjit, personat që mund të paraqiten si trashëgues janë: të gjithë pasardhësit e personit të ndjerë që ka lënë prona pas vete, i adoptuari dhe pasardhësit e tij, bashkëshorti ose bashkëshortja, prindërit ë tij, vëllezërit dhe motra dhe pasardhësit e tyre, si dhe gjyshi dhe gjyshja dhe pasardhësit e tyre./Media Ndërtimi