Connect with us

Infrastrukturë

Si u hap rrugë në mes të Kanjonit të Shushicës, zonë e parë e mbrojtur në Bjeshkët e Nemura

Published

on

Si u hap rrugë në mes të Kanjonit të Shushicës, zonë e parë e mbrojtun në Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemura, nën sytë e Ministrisë së Mjedisit, Komunës së Pejës dhe kopanisë publike Hidrodrini gjatë vitit 2023.

Në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ku jetojnë me mija shtazë e bimë që mbrohen me ligje të Kosovës, është hapur rrugë e re pa kurfarë leje.  Bagerat kanë punuar gjatë gjithë verës së vitit 2023 për të thyer bjeshkën në kanjonin të Shushicës, i cili gjendet disa kilometra mbi grykën e Rugovës.

Kanjoni i takon Zonës së Parë të Mbrojtur të Parkut Kombëtar.

Shtegu në të cilin ne arritëm të shkojmë me makinë deri në mes të kanjonit, kishte qenë shteg i këmbësoreve që është trashëgimi natyrore, kulturore e historike e rugovasve, të cilën e kanë përdor në 600 vitet e fundit për të dal deri te fshatrat Llaz e Bellopaq.

“Bjeshkën e kemi thy me çekiç”, tha punëkryesi Arsim Shehu përmes një bisede me telefon. Bjeshka është thyer nga Komuna e Pejës në një projekt që ka për qëllim të shtrojë ujësjellës në zonën e mbrojtur për me sjell ujë për banorë të Lugut të Baranit që gjinden 25-30 km larg këtij kanioni. Debati për t’i sjell ujin 15 fshatrave të Lugut të Baranit është zhvilluar në 15 vitet e fundit prej kohës që kryetar i komunës ka qenë Ali Berisha në 2009. Ai e kishte filluar projektin për furnizimin prej Radacit, ku është burimi i Drinit të Bardhë, por i humbi zgjedhjet pa përfunduar projektin.

Pas tij, Gazmend Muhaxheri, kryetar prej vitit 2013, ka vendosur që uji banorëve të Lugut të Baranit do tu sillet, jo përmes Drinit të Bardhë, por përmes lumit të Shushicës që gjendet në zonën e mbrojtur. Krejt ky intervenim në zonën e mbrojtur është bërë nën sytë e zyrtarëve të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, organ që i ka 36 punëtorë, e të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen e Bjeshkëve. Ky intervenim është bërë po ashtu nën sytë e zyrtarëve të Hdrodrinit, detyra e të cilëve është të propozojnë zgjidhje hidro-teknike që nuk e dëmton zonën e mbrojtur.

Gypat e kaltërt që kanë pasur për qëllim të shtrohen në këtë rrugë ishin ende të ekspozuar në bjeshkë kur ekipi i Kallxo.com e vizitoi kanjonin e Shushicës me 6 shkurt. Me t’i parë këto gypa ekipi ynë shkoi te zyrat e Parkut Kombëtar në Pejë për të pyetur se pse nuk janë ndaluar bagerat që kanë punuar në hapjen e kësaj rruge gjatë gjithë verës së vitit 2023. Diku 10 zyrtarë të Parkut të Bjeshkëve të Nemuna me tri makina u mobilizuan të përcjellin ekipin tonë deri te vendi i krimit mjedisor.

Fatmir Morina që është drejtor i Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, me të parë rrugën e shtruar në mes të kanjonit nga lartësia tha se nuk është në dijeni për këto punime. “Unë personalisht nuk pasna pas njohuri për një rrugë të tillë, ma herët kam qenë këtu para disa vitesh, por sigurisht vartësit e mi, ata me siguri kanë proces”, – tha Morina.

Ai ka thënë se ndonëse rruga është e komisionuar nga komuna e Pejës, pa lejen e Ministrisë së Mjedisit nuk mund të bëhet. “Jo pa leje (mjedisore) nuk mund të bëhet”, – tha Morina.Gjatë inspektimit të bjeshkëve zyrtarët e Parkut Kombëtar filluan të konsultoheshin mes veti dhe biseda e tyre e lirë e konfirmoi atë që Kallxo.com-it ia kishin thanë banorët e kësaj ane që e kishin raportuar shtruarjen e kësaj rruge. “Zonë e mbrojtur është. Kanioni zonë e parë (e mbrojur) është”, pohojnë ata.Në prezencë të ekipit të Kallxo.com Morina e thërret Jusuf Lajçin, zyrtarin e Parkut Kombëtar që e kishte përgjegjësi inspektimin e kësaj zone. Pas bisedës me te në vendin e ngjarjes Morina tha që Lajçi ka bërë inspektimin por nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë sepse nuk e kishte hasur askend aty.

“Proces nuk ka por inspektim të rrugës ka se kur paska ardh ky djali 2-3 herë nuk ka hasur në askënd këtu, tha që ka konstatim se është qel kjo rrugë, kam njoftu edhe në drejtori te na po thotë s’kam bo proces se s’kam pas kujt me ja bo se goxha në mënyrë klandestine është çel, që as na s[e kemi ditë kur kemi ardh. Por tash e tutje kjo nuk do të vazhdoj në asnjë variantë mo nuk ka shanca me vazhdu por edhe unë jam i befasur se s’kam informacion, pra s’po e shoh të arsyeshme me fol për diçka që s’jam i informuar”, – tha Morina.

Pretendimi që Jusuf Lajçi nuk ka hasur askend gjatë punimeve është mohuar nga Arsim Sheshu, pronari i kompanisë V Shehu që është angazhuar nga komuna për ta hapur rrugën në zonën e mbrojtur. Në një bisedë për Kallxo.com ai tha që ka takuar zyrtarin e Parkut Kombëtar Bjeshëkt e Nemura gjatë punimeve dhe zyrtari pastaj kishte vazhduar rrugën për në komunë të Pejës për t’i shikuar dokuemntet se a ka rruga pëlqim mjedisor dhe lejet e tjera që duhet t’i ketë kushdo që është duke ndërtuar në zonë të mbrojtur.

Për këtë projekt, Komuna e Pejës nuk ka leje mjedisore

“Nuk ka leje mjedisore, por tash e marrim lejen mjedisore. Në të kaluarën për rrugë në Bjeshkë të Rugovës i kemi marr dy leje për me i bo ato rrugë edhe pas intervenimeve në ministri që me ja ndalë punën kryetarit Muhaxheri, prej vitit 2016, ’17, ’18 e te knej”, tha Muhaxheri gjatë debatit me Ministrinë e Ambientit.

Ndërsa për këtë projektin e fundit, thotë që s’ka aplikuar për leje mjedisore, sepse s’ka qenë në dijeni që aty është Park Kombëtar.

“Po se pasna ditë që bash qaty Parku Nacional qysh u diskutu (në hulumtim) …E ka pas të caktume edhe vijën ka ka me shku Parku Nacional… Parku Nacional nuk është vend që s’mund të punohet. Ministria besoj që e ka parasysh interesin e qytetarëve që janë shumë fshatra që do të furnizohen me ujë. Kjo rrugë është traseja ku do të vendoset gypi”,  ka shtuar Muhaxheri.

Elbasan Shala, Drejtor i Inspektoratit në MMPHI, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se leja mjedisore duhet të merret para se të fillohen punimet.

“Aplikimi nuk ndalohet edhe pasi që fillojë projekti por e mira është të aplikohet për leje para se me fillu projekti, para se me fillu me pas një ndërtim. Pëlqimi mjedisor nëpër hapësira të mbrojtura lëshohet për infrastrukturë në këtë rast edhe në atë ujore që përfshihet ujësjellësi dhe kanalizimi. Fillimisht para se të lëshohet leja, ekspertët e ministrisë e vlerësojnë ndikimin në mjedis, e bëjnë një raport dhe në bazë të atij raporti, komisioni e bën shqyrtimin dhe e lëshon ose jo lejen”, ka sqaruar Shala.

“Pa pëlqim mjedisor realisht nuk duhet me ndërhy në zona të mbrojtura edhe me projekte të tilla. Ligjet janë të qarta. Nëse del që në bazë të vlerësimit të ekspertëve, ky investim më shumë bën dëm se sa dobi atëherë, [ëlqimi mjedisor nuk lëshohet”, – ka sqaruar tutje.

Për projektin e Komunës së Pejës, inspektorati i MMPHI, janë njoftuar para dy ditësh.

Kryetari i Pejës ka insistuar se ka ndërhyrje politike ndaj komunës që ai drejton./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh

Published

on

Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.

Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.

“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.

Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.

„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.

Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.

“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.

Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.

“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme

Published

on

Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.

Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.

Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.

Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.

Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.

Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.

Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.

Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.

Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.

Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.

Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.

Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.

Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.

Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri

Published

on

Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.

Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.

Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.

Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.

Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi

Continue Reading

Trending