Me 27 vota pro, është anuluar vendimi për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, i miratuar nga Kuvendi komunal i Prishtinës më 21 dhjetor 2023.
Vendimi për këmbim të pronave komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc, u votua të enjten në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, raporton Betimi për Drejtësi.
Asamblistët e LDK-së dhe kryetari Rama lëshojnë sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës
(Përditësuar, ora 15:10)- Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilin pritet të votohet për anulimin e vendimit për këmbimin e pronave.
LDK-ja e lëshoi sallën pas fjalimit të kryetarit Përparim Rama dhe drejtoreshës Dorentinë Maloku, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në fjalimin e tij, Rama tha se ky vendim ka rrjedhur nga një proces i cili ka filluar nga qeverisja e kaluar dhe jo nga ai.
“Për më tepër, ky proces ka rrjedh nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, pra Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal”, tha Rama.
Rama tha se nga momenti që qeverisja e tij ka vazhduar këtë proces, janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara ligjore.
Nis seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës, kërkohet shfuqizimi i vendimit për ndërrimin e pronave
Seanca e Asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës ka nisur me kërkesën e VV-së dhe PDK-së për anulimin e vendimit për ndërrimin e pronave në Prishtinë.
Në emër të VV-së, asamblisti Gëzim Sveçla ka kërkuar votën e asamblistëve për anulimin e vendimit për ndërrimin e pronave.
Asamblistët opozitarë kanë kërkuar anulimin e vendimit ndërsa Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ky proces është nisur nga qeverisja e kaluar dhe është miratuar nga ministritë e Qeverisë së Kosovës.
Rama ka thënë se kur është miratuar vendimi nuk ka reaguar askush.
“Kanë kalu disa javë asnjë fjalë nuk e kanë thënë as PDK e as Vetëvendosje”, ka thënë Rama.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ashtu që ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar.
Më herët, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte deklaruar se si kryeqytet vetëm i kanë zbatuar vendimet e ministrive të tjera, lidhur me këmbimin e pronave. Sipas Ramës, Ministria e Financave është autoriteti i vetëm që bën vlerësimin e pronave./Media Ndërtimi