Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës është duke zhvilluar një aksion që nga mëngjesi përfshirë disa lokacione në nivel të Kosovës. Aksioni ka nisur për shkak të dyshimeve se disa zyrtarë dhe qytetarë janë përfshirë në kryerjen e veprave penale “Mashtrim në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Gazeta Insajderi nga burimet e saj ka mësuar se cak i Krimeve Ekonomike është edhe hoteli i biznesmenit, Feim Pulaj “LakeSide”, i cili ndodhet në Vermicë të Prizrenit.
Në lidhje me rastin është kontaktuar zëdhënsja e Prokurorisë, Laureta Ulaj për të kuptuar më shumë detaje rreth këtij aksion që ende është duke e vazhduar, por e njëjta nuk ka dhënë ndonjë detaj të ri.“Mund të konfirmojë se aksioni është duke vazhduar dhe s’mund të them asgjë më shumë”, u shpreh Ulaj.
Detaje për aksionin për ka dhënë zëdhënësja Ulaj.“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”
Në disa lokacione të ndryshme në Podujevë, Prishtinë e Prizren, njësitet e Drejtorisë së Krimeve Ekonomike janë duke zhvilluar një aksion nën dyshimet për vepra penale të mashtrimit, shmangie nga tatimi dhe prezantim të dokumenteve të rrejshme.
Aksioni i cili po zhvillohet nga hetuesit e Krimeve Ekonomike e që po udhëhiqen nga hetuesi Pajtim Kllokoqi nën urdhrat e Prokurorit Bekim Kodraliu, ka nisur që të hetohet nga ky i fundit para disa javësh.
Dyshimet janë se dy biznesmenë e disa zyrtarë tatimorë janë të përfshirë në veprat penale të mashtrimit në detyrë, shmangie të tatimit, dokumentimi i rrejshëm.
13 zyrtarë tatimorë po dyshohen për veprën penale të mashtrimit në detyrë, të njëjtit dyshohet se kanë pranuar aplikimin e biznesmenit për një rimburësim për TVSH ndërsa nuk e kishin kthyer rastin mbrapa ani pse kishin marrë një konkluzion nga një komision brenda ATK-së, që faturat që kishte dërguar një biznesmen për rimburësim ishin fiktive.
Dëmi që konsiderohet që do t’i shkaktohej shtetit me këto veprime është vlerësuar të jetë 2.8 milionë euro.
Kallxo.com mëson se biznesmeni nga Prizreni dyshohet se ka blerë dhjetëra fatura nga një biznes në Podujevë. Vlera e këtyre faturave që i ka prezantuar biznesmeni nga Prizreni në ATK për rimburësim arrinte shifrën e 18 milionë eurove. Në bazë të vlerësimit për rimburësim atij i takonin 2.8 milionë euro rimburësim, por që gjatë kohës sa ishte trajtuar kërkesa nga ana e komisionit brenda ATK-së ishte vërejtur se faturat janë fiktive dhe se biznesi në Podujevë ishte pa qarkullime.
Deri më tani prokuroria ka në dorë provat qe vërtetojnë shumën e faturave të blera e që më pas të njëjtat u shfrytëzuan për të aplikuar për rimburësim.
Pra bizneset në Kosovë kanë të drejtë që të aplikojnë për rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Aktualisht policia po vazhdon që të kryejë bastisje në hotelin e biznesmenit nga Prizreni, hotel ky që u përdor si pretekst se në të u kryen ndërtime gjatë periudhës 2020./Media Ndërtimi