Çdo ditë, 15 persona humbën jetën në mënyrë të parakohshme në Shqipëri si pasojë e ndotjes së ajrit në 2016. Kështu thuhet në raportin e Agjencisë Evropianë të Mjedisit i publikuar në vitin 2019 dhe që është bërë pjesë e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka të bëjë me ndikimin që ka transporti rrugor në cilësinë e ajrit.
Sipas të dhënave, 5350 persona kanë vdekur në mënyrë të parakohshme nga ekspozimi ndaj PM 2.5 (Lënda e ngurtë pezull ), NOx (Oksidet e azotit) dhe CO (Monoksidi i karbonit).
Një tjetër dokument që ngre shqetësimin për situatën e monitorimit të ndotjes së ajrit është Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë në kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”. Aty thuhet se monitorimi i cilësisë së ajrit nga institucionet shqiptare nuk është në standardet e BE-së dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të mungesës së fondeve.
Ndotësi kryesor i ajrit në pjesën më të madhe të qyteteve është transporti dhe ka një pranim universal që trajtimi i këtij problemi është çelësi për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ekspertët mjedisorë ngrenë shqetësimin se në Shqipëri mungojnë të dhënat nga institucionet dhe çështja e cilësisë së ajrit nuk merret seriozisht nga ana e tyre.
“Shqipëria kë një trend 2700 deri 3000 vdekje të parakohshme dhe një impakt të përgjithshëm prej rreth 188 ditësh të humbura për personat e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur. Në rastin tonë Instituti i Shëndetit Publik ka rreth një dekadë që nuk e publikon raportin e shëndetit mjedisor urban” – tha Rodion Gjoka nga Instituti “Co-Plan”.
Për të kuptuar nivelin e ndotjes që vjen nga transporti KLSH ka trokitur në derën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila monitoron cilësinë e ajrit.
Pyetja që KLSH i drejton Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është nëse janë siguruar të dhëna të besueshme dhe mjaftueshme për vlerësimin e gjendjes së cilësisë së ajrit?
Përgjigja ka ardhur nga raportet e gjendjes në mjedis për vitet 2019,2020 dhe 2021 sipas të cilave treguesit janë brenda standardeve.
Megjithatë, duke analizuar me kujdes procesin e monitorimit të kryer nga AKM vërehen mangësi thelbësore në mbulimin kohor, mungesën e të dhënave për disa ndotës në qytete të caktuara, apo edhe saktësinë e të dhënave, thotë KLSH në raport.
Monitorimi e cilësisë së ajrit urban, për vitin 2021, është kryer në qytetet kryesore të vendit: Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Berat, Lezhë dhe Vlorë, për treguesit kryesorë të ndotjes së ajrit .
Aktualisht AKM ka në administrim 7 stacione automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit njëri prej tyre i lëvizshëm.
“Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme. Mungesa e fondeve, metodologjia jo e përditësuar, parametra të ndryshëm matur në kohë të ndryshme është një panoramë e gjendjes së cilësisë së ajrit”, tha Arion Sauku nga organizata mjedisore Mileukontakt Albania
Si konkluzione KLSH thotë se ka munguar bashkëpunimi ndërinstitucional dhe kërkohet që Ministria e Mjedisit të propozojë pranë Kryeministrisë ngritjen e Komisionit Kombëtar për Ajër të Pastër./Media Ndërtimi