Connect with us

Trashëgimia

Mulliri i Bicajve në Istog, vlerë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mullinjtë e ujit janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës, të ndërtuar kryesisht në vende ku kapaciteti i burimit të ujit nga lumenjtë është më i fuqishëm. Historikisht, mullinjtë e ujit kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekzistencën e popullit dhe furnizimit me miell.

Mullinjtë kanë shërbyer edhe si pikëtakim, ku njerëzit kanë ndërvepruar, janë njohur me njëri-tjetrin dhe kanë shkëmbyer mallra. Kjo për arsye se procesi i bluarjes ka marrë më shumë kohë, sepse kërkesa për bluarje ka qenë më e madhe, dhe njerëzit është dashur të qëndrojnë më gjatë (shpeshherë edhe me ditë të tëra) në mënyrë që të furnizohen me miell.

Një ndër vendet më karakteristike ku gjenden mullinjtë e ujit është fshati Vrellë në Komunën e Istogut. Ky fshat shtrihet në pjesën veri-perëndimore të Kosovës, shtatë kilometra nga Istogu, rrethuar nga bjeshkët dhe me një burim të ujit që plotëson nevojat e fshatit dhe rrethinës.

Një ndër mullinjtë më karakteristikë është mulliri i Bicajve, i ndërtuar në shekullin XIX, ndër më të vjetrit në Istog, i cili vazhdon të jetë në funksion edhe sot e kësaj dite. Ky mulli ka formë katërkëndëshe, është i punuar me teknikën e gurit dhe me ilaç gëlqereje, dhe është i mbuluar me tjegulla tradicionale.

Fillimisht, familja Bicaj kishte ndërtuar dy mullinj, mirëpo pas luftës së fundit në Kosovë 1998 – 1999, njëri nga mullinjtë u dogj nga forcat serbe, ndërsa mulliri tjetër ishte shkatërruar sepse kafshët e kishin përdorur për t’u fshehur dhe strehuar në të.

Pas përfundimit të luftës, pronari thekson se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e bëri meremetimin e mullinjve si nevojë esenciale.

Andaj, familjarët vendosën t’i rregullonin që të dy mullinjtë vetë. Njëri prej tyre është jashtë funksionit dhe ruhet vetëm si kujtim. Ndërsa mulliri tjetër është në funksion.

Pronari Fazli Bicaj tregon se para 20 vitesh kishte më shumë punë, sepse njerëzit ushqeheshin kryesisht me miell të misrit, ndërsa tani miellin e misrit e konsiderojnë më tepër si luks, kjo sepse edhe mënyrat e përgatitjes dhe përbërësit e ushqimit janë pasuruar.

“Nganjëherë bluaj deri në 500 kg blojë, po sot qysh po shihet nuk koka dita jonë me fat”, thotë Fazli Bicaj gjersa pastron gurin e mullirit.

Gjatë diskutimit me z. Bicaj, erdhi një veturë dhe solli një thes me misër që ta bluante. Ata ranë dakord që të vinte ta merrte në mbrëmje. Pronari futi brenda thesin me misër, e peshoi dhe më pas filloi që me një kovë ta vendoste në mushnjakë (kosh). Rregulloi ngrefcin me anë të të cilit vendoste se sa duhej të ishte trashësia e miellit.

Sipas pronarit mund të bluhej miell i trashë dhe i hollë, por që miellin e trashë kryesisht e kanë bluar për “gja” (bagëti).

Kjo ishte një mundësi e artë për ta parë për së afërmi se si zhvillohet procesi i bluarjes së misrit në mulli.

Në pjesën anësore të gurit të mullirit, pronari tërhoqi një dru. Kështu, në këtë vend që ishte i qetë e mund të dëgjoje vetëm rrjedhën e ujit, tani zotëronte një zhurmë që lëshonin çakallet e mullirit. Ky proces i bluarjes vazhdoi pa ndërprerje pothuajse për një orë e gjysmë dhe në përfundim pronari mbushi thesin me miell dhe mbi të vendosi inicialet e personit që i përkiste mielli, në mënyrë që thesi mos të ngatërrohej me atë të dikujt tjetër.

Gjatë kohës që po qëndroja në mulli, shumë fshatarë kalonin aty pari dhe mua m’u dha mundësia që t’i pyesja rreth mullirit. Sipas tyre, brezi i vjetër mullirin e shihte fare ndryshe prej të riut. Për brezin e vjetër, mulliri ngjallte nostalgji: “Pasaniku më i madh është ai që ka mulli… Ke qenë zotni nëse ke pasë mulli”, thoshin ata.

Sot, urbanizmi, teknologjia dhe jeta dinamike, kanë ndikuar që shumë veprimtari të kultivuara brez pas brezi të mbesin nën hijen e së kaluarës, përfshirë këtu edhe mullirin.

Pas disa orëve të kaluara në mulli dhe bashkëbisedimin me shumë fshatarë, personat që kishin sjellë misrin për bluarje erdhën ta merrnin miellin.

Askush tjetër nuk erdhi më pas për të bluar, e Fazli Bicaj arsyetohej duke më thënë: “Po sot osht vikend, njerëzit kanë qejf me pushu… ditëve të javës bijnë ma shumë blojë”.

Teksa fliste, ndjeva brengosjen që kishte për të ardhmen e mullirit. Edhe unë fillova të mendoj për të ardhmen e mullirit, ndonëse isha një ndër të paktët persona nga brezi i ri që ende kishte interes për rolin e mullirit në kulturë dhe shoqëri.

Duke parë rëndësinë historike të mullinjve, është i nevojshëm një kujdes i shtuar për ta, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e vendit.

Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si mullinjtë mund të bëhen më joshës për popullatën, duke filluar që nga mbajtja e tyre afër restoranteve, që do të ofronte një përvojë të jetës “ktyneherë”, model ky që mund të ngjasonte me një tip muzeu, duke ruajtur kështu vlerat për të cilat konsiderohet.

Por, një gjë është e sigurt, nëse nuk merren masa tani, mullinjtë rrezikojnë të mbeten në memorien kolektive dhe të harrohen përfundimisht. Vizita në mullirin e familjes Bicaj në fshatin Vrellë ishte një përvojë e paharrueshme, e cila duhet të shërbejë për të reflektuar mbi rëndësinë dhe nevojën që të merren veprime konkrete për t’i mbrojtur mullinjtë e ujit në Kosovë./Media Ndërtimi

https://sbunker.net/teh/91915/mulliri-i-bicajve-vlere-e-trashegimise-kulturore/

Trashëgimia

Restaurohet shtëpia e familjes Kryeziu nga Gjakova si aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore

Published

on

Shtëpia e familjes Kryeziu nga Gjakova, me arkitekturë tradicionale të fundit të shekullit VIII-të gjendet në pjesën e vjetër të qytetit dhe ka pamje mbresëlënëse.

Ndodhet mes Muzeut Historik dhe hapësirës ku është i vendosur busti i Sylejman Vokshit.

Gjakova njihet si qytet i kulturës, traditës dhe qytetërimit. Investimet në ruajtjen trashëgimisë kulturore nga MKRS nuk do të ndalen./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia

Arkeologët zbulojnë një pishinë të shekullit të parë në Durrës

Published

on

Gërmimet në territorin ku ngrihej shkolla “Gjergj Kastrioti” e dëmtuar nga tërmeti, nxorën në pah një pishinë të zbukuruar me mozaikë dhe afreske, që besohet se i përket shekujve 1 e të 2 të erës sonë.

Gërmimet arkeologjike në oborrin e shkollës “Gjergj Kastrioti” të Durrësit, e cila  pritet t’i nënshtrohet rindërtimit të plotë, kanë nxjerrë në dritë fragmentet e një pishine me dysheme prej mozaiku, si dhe me faqe anësore të pikturuara me afreske.

Zbulimet e vazhdueshme në këtë territor i kanë bërë arkeologët mjaft të ndjeshëm për të ardhmen e të gjithë sipërfaqes ku tashmë është zbuluar një vilë rezidenciale, e shekullit të 1-2  të erës sonë.

“Durrësi i lashtë ka qenë një nga pikat e orientimit të Mesdheut, si për bregdetin Adriatik edhe për prapatokën ilire”, tha për BIRN prof. Luan Përzhita, i cili drejton gjatë kërkimeve aktuale një grup me rreth 20 specialistë, arkeologë, skicografë, ekspertë të mozaikëve e të tjerë.

Profesor Përzhita tha se në fillim të mijëvjeçarit të parë Durrësi ishte një pikë kontakti për perandorinë Romake. Qyteti jo më kot kishte prerjen e monedhave të veta, apo edhe bankat e veta.

Me zbulimet e reja specialistët arkeologë janë përqendruar në dy kuadratet e pishinës së sapo zbuluar dhe ku sipërfaqja e përgjithshme pritet të arrijë në 60 metra katrorë.

Përzhita është entuziast dhe nënvizon se elementet e mozaikëve janë një tregues i fuqisë ekonomike të qytetit, dhe nuk është habi që këto banesa të jenë shfrytëzuar edhe gjatë vizitave nga perandorë romakë.

Ekspedita në këtë sit do të vijojë për afro dy muaj të tjerë dhe arkeologët shpresojnë të kuptojnë prej saj se çfarë ndodh në nëntokën e sipërfaqes ku u ngrit në vitin 1968 shkolla e mesme e përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Godina që u dëmtuar gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019 pritet të rindërtohet, pas monitorimin arkeologjik dhe përfundimeve të paraqitura nga grupi i drejtuar nga profesor Përzhita./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia

Hora e Arbëreshëve, një pikëtakim mes shqiptarëve nga të gjitha trevat

Published

on

Piani degli Albanesi, qendra kryesore e arbëreshëve në Siçili, po zbulohet së fundmi si destinacion edhe nga shqiptarët e Kosovës.

Piana degli Albanesi, një qytezë arbëreshe vetëm 35 minuta larg Palermos në Siçili, po zbulohet së fundmi si një destinacion shpirtëror edhe nga shqiptarët e Kosovës. Veli Berisha, 41 vjeç, jeton prej shumë vitesh në Bernë të Zvicrës dhe bashkë me tre miq nga Kosova kanë ardhur në qytezë me një mision të veçantë.

“Për arbëreshët e Italisë më ka folur shumë babai im, por kur erdha këtu për herë të parë dhe kur njoha njerëzit e Pianës, të cilët i kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare për më shumë se 500 vjet, u mahnita,” tha Berisha për BIRN.

Veli Berisha udhëtoi drejt Horës së Arbëreshëve në prill bashkë me Gencin, Ramadanin dhe Adnanin dhe u takua me kryetarin e bashkisë, Rosario Peta. Ata kanë vendosur të financojnë realizimin e një monumenti kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Të frymëzuar nga historia e Horës së Arbëreshëve, Berisha thotë se ka krijuar në Kosovë shoqatën “Hora e Skënderbeut”.

Piana degli Albanesi, e njohur edhe si Hora e Arbëreshëvet, është qendra kryesore e komunitetit arbëresh në Siçili, i vendosur aty në fillim të shekullit XVI. Komuniteti e ka ruajtur prej shekujsh gjuhën dhe zakonet, por fatkeqësisht gjuha sa vjen e po humbet.

“Unë e kam ruajtur gjuhën e nënës sime dhe po të njëjtën gjë bëjnë edhe fëmijët e mi,” thotë Giorgio Cuccia, një nga aktivistët vendas për promovimin e Pianës, edhe jashtë ishullit më të madh në Italinë jugore.

“Në fakt, në Shqipëri njohin më shumë arbëreshët e Kalabrisë dhe drejtuesit e shtetit, vizitat zyrtare i bëjnë atje. Por tani, të gjithë po i kthejnë sytë edhe nga Piana degli Albanesi,” shton me krenari Giorgio.

Një ndeshje futbolli në vitin 2017 u bë shkak – tregon Giorgio – për të rivlerësuar historinë e Horës së Arbëreshëve.  Pasi tifozët shqiptarë dhe ata të Pianës i bashkuan brohorimat në stadiumin e Palermos, futbollistët shqiptarë dhe drejtuesit e FSHF-së bënë një vizitë emocionuese në qytezë.

Ndërkohë, pak ditë më parë, nga Shqipëria, Kosova dhe Italia kanë festuar së bashku suksesin e arritur nga skuadra lokale e arbëreshëve “San Giorgio Piana” dhe presidenti i saj, Evis Troka, një sipërmarrës nga Kuçova, i cili jeton dhe punon prej më shumë se 20 vitesh në Piana.

“Ky ishte një sukses që do t’i shërbejë edhe më shumë vëmendjes ndaj qytezës sonë,” thotë Cuccia, i cili tregon më tej se të martën e ardhshme në kalendarin e veprimtarive tradicionale janë ftuar katër këngëtarë të njohur nga Durrësi dhe Tirana, të cilët me siguri do t’i mbledhin të gjithë banorët e Pianës në shesh.

Continue Reading

Trending