Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës të hënën ka vazhduar gjykimi në çështjen ku akuzohet ish ministri i infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove.
Në këtë rast përveç Lekajt akuzohen edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Georgios Papaioannou si përfaqësues i kompanisë – “Hill International” e cila ishte kompani mbikëqyrëse e projektit të autostradës “Arbën Xhaferi”. Dëgjimi i të njëjtit u bë përmes video-lidhjes pasi që ai nuk gjendej në Kosovë, raporton Kallxo.com
Gjatë dëshmisë së tij pyetje i parashtroi prokurori Special Atdhe Dema, si dhe mbrojtja e të akuzuarve.
Sipas Papaioannou Ministria e Infrastruturës e kishin kërkuar opinionin e Hill International për pagesat shtesë për zgjatjen e afatit të punimeve për autostratën që lidhë kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Lidhur me këtë kërkesë të kompanisë ndërtuese të autostradës “Bechtel & Enka” e cila e kishte paraqitur para Qeverisë së Kosovës, ku kërkohej shuma prej 53 milionë eurove, dëshmitari tha se vetëm pika e parë ka qenë bindëse ndërsa dy pikat e tjera nuk kanë qenë bindëse për vlerësimin e kompanisë Hill International.
Tutje, Papaioannou në dëshminë e tij e ka konfirmuar para gjykatës se në dhjetor të vitit 2017 kompania mbikëqyrëse në fjalë ishte dhënë opinion lidhur me shumën që ishte lejuar t`i jepej Bechtel & Enka, pra vlera prej mbi 14 milionë euro. Ndërkaq, vendimi për 53 milionë euro është marrë më 5 qershor të vitit 2018.
Sipas tij, ky opinion i është dorëzuar Ministrisë së Infrastrukturës më 21 dhjetor të vitit 2017 kurse deri pas marrjes së vendimit për pagesën prej 53 milionshit kompania Hill Intetnational nuk janë kontaktuar më.
“Vendimi i qeverisë që ka leju pagesen e 53 milionëve është marrë më 5 qershor 2018 e deri atëherë ne nuk jemi kontaktuar fare”- tha Papaioannou sipas interpretit të gjuhës angleze.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Pal Lekaj – avokatit Musa Damati, dëshmitari tha se qëllimi i pagesës prej 53 milionë euro nuk ka qenë mbulimi i deficitit.
Sipas tij qëllimi i kësaj shume ka qenë mbulimi i shumës së përgjithshme që Bechtel & Enka ka kriju për të përfunduar punët deri më 31 dhjetor të vitit 2018.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës./Media Ndërtimi