Connect with us

Ambienti

Lumenj apo kanalizime! Mungesa e rrjetit të ujërave të zeza ndot ambientin në qytetet e Kosovës

Published

on

Lumenjtë e Kosovës vazhdojnë të ndoten nga ujërat e zeza, qytetarët shprehen të dëshpëruar për mungesën e rrjetit të kanalizimit, derisa raportet ndërkombëtare shohin progres të kufizuar në përkujdesjen ndaj mjedisit në Kosovë.

Në afërsi të rrjedhave të lumenjve që kalojnë nëpër qytetet e Kosovës, aroma e pakëndshme është tregues i ndotjes së ujërave. Si pasojë e mungesës së kanalizimit, ujërat e ndotura janë një nga të këqijat me të cilat vazhdojnë të përballen qytetarët e vendit.

Qendrat e qyteteve të vendit zakonisht lidhen me nga një urë nën të cilën kalojnë rrjedha lumore. Uji i tyre që do duhej të ishte i pastër si pika e shiut, shpesh i ngjan ujit të pusetave. Ndotja më e madhe e lumenjve shkaktohet nga derdhja e ujërave të zeza nga shtëpitë dhe bizneset.

Uji i zi e ngjyrë kafe, mbetje amvisërie e industriale, ia kanë tjetërsuar pamjen pasurive ujore, sa të japin përshtypjen e një shëmtie të madhe.

Shumica e komunave ende nuk kanë impiante për trajtimin e ujërave të zeza. Rrjedha e qetë e lumenjve gradualisht po mbytet nga jehona ogurzezë e ndotjes. Shkatërrimi mjedisor i lumenjve të Kosovës paraqet një kërcënim të madh për ekuilibrin ekologjik të vendit, shëndetin e njerëzve dhe mirëqenien e përgjithshme.

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ujërave të zeza rezulton me 35.49%, ku 60.10% shprehet në treguesin për realizimin e planit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimit, ndërsa 73.23% e ekonomive familjare, institucioneve publike dhe njësive biznesore të 27 komunave janë të kyçura në sistemin e kanalizimit.

Edhe pse Raporti i Progresit për vitin 2022 tregon se Kosova ka bërë disa përparime në harmonizimin e legjislacionit për ujërat me Acquis communautaire të BE-së, megjithatë është vlerësuar si progres i kufizuar. Aty shkruan që ujërat e zeza dhe shkarkimet e patrajtuara mbeten burimet kryesore të ndotjes së ujit, veçanërisht në lumenj.

Rrjedha e lumit Tërstena, që kalon nëpër qytetin e Vushtrrisë, nuk dallohet nëse është ujë lumi, apo llavë kanalizimi. Aroma e padurueshme i shqetëson qytetarët e asaj ane, më së shumti ata që jetojnë skaj lumit. Ata nuk fajësojnë banorët e fshatrave, por pushtetin lokal që nuk po shtrin rrjetin e kanalizimit në gjithë territorin e komunës.

Shtëpia e Leonora Xhakolit gjendet përskaj urës. Shpeshherë aroma është aq e keqe sa që duhet t’i mbyllësh hundët kur kalon rrugën andej.

“Lumi Tërstena në shumicën e kohës është i ndotur, pavarësisht që komuna mundohet herë pas here ta pastrojë.  Kjo vjen si pasojë e mungesës së kanalizimit, por edhe për shkak të banorëve përreth.  Ata nuk janë aspak të ndërgjegjshëm duke hedhur kështu mbeturinat e tyre personale në lumë”- tha Xhakoli.24.34% është shtrirja e kanalizimit në Vushtrri në vitin 2021.Raporti i performancës për vitin 2021 vë në pah që rreth 53.44% të ekonomive familjare, institucioneve publike dhe bizneseve janë deklaruar të përfshira në sistemin e kanalizimit. Në vitin 2020 ishte 74.19%.  Në anën tjetër, zbatimi i aktiviteteve nga plani për ndërtim dhe mirëmbajtje të sistemit të kanalizimit është raportuar të jetë 60.10% për dallim nga 86.54% sa ishte në vitin 2020.

Në Graçanicë, shitësit e blerësit tregun e së martës e bëjnë në afësi të rrjedhës së lumit Graqanka. Lumi kishte marrë ngjyrë kafe, ndërsa aroma ishte e pakëndshme për të shitur fruta të freskëta matanë tij.

Në Graçanicë rreth 38.46%  është i shtrirë rrjeti i kanalizimit, sipas të dhënave të vitit 2021.Jo shumë larg Graçanicës, për banorët e kryeqytetit ujërat e ndotura janë problem i kahmotshëm. Rrjedha e lumit Prishtina i përngjan një kolektori të ujërave të zeza të mbledhura në një vend. Shumica e fshatrave në komunën e Prishtinës nuk kanë trajtim të duhur të ujërave të zeza.

Shumë prej ujërave të ndotura derdhen në liqenin e Badovcit apo ka edhe raste kur kanë depërtuar në ujërat e puseve. Përpos fshatrave, ujërat e zeza dalin në sipërfaqe edhe në zonën urbane, sidomos gjatë kohës kur ka reshje.Në fillim të këtij viti, ishin ndarë 900 mijë euro për  ndërtim, rikonstruktim e sanim të kanalizimeve në fshatrat e kryeqytetit: Bardhosh, Barilevë, Besi, Bërnicë, Busi, Grashticë, Hajvali, Lebane, Llukar, Makoc, Matiqan, Mramor, Prugoc, Rimanishtë, Sinidoll, Siqevë, Slivovë, Sharban, Shkabaj, Tenezhdoll, Trudë, Vranidoll dhe Çagllavicë.

Në Prishtinë 49.64% e territorit është e mbuluar me kanalizim, në bazë të raportit të performancës.

Sipas një raporti të vitit 2020 nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, 90% e ujërave të zeza në Kosovë në mënyrë direkte ose jo shkarkohen në lumenj pa filtrimin e duhur. Në tre vitet para qershorit 2020, 32 milionë euro ishin parashikuar për filtrim të ujërave të zeza por vetëm 2.2 milionë euro u shpenzuan në të vërtetë.

Në jug të Kosovës, në komunën me shumicë serbe, Ranillug, pak pa hyrë në fshat gjendet një urë me ngjyra të flamurit serb, nën të cilën rrjedh uji i Moravës së Binçës. Ndërkaq, brenda fshatit, në pjesën e betonuar për rrjedhën e lumit nuk shihej ujë./Media Ndërtimi

Ambienti

BE përgatitet për sezonin e zjarreve 2024

Published

on

Vera është pothuajse pranë nesh. Kjo do të thotë plazhe dhe akullore, por realiteti është se do të thotë gjithashtu të përgatitemi për sezonin e ardhshëm të zjarreve. Kjo është arsyeja pse BE-ja ka marrë këtë javë masa proaktive për të forcuar përpjekjet për shuarjen e zjarrit në mënyrë që të mbrojmë më mirë komunitetet tona dhe mjedisin.

Për vitin 2024, BE-ja ka bashkuar 556 zjarrfikës nga 12 vende që do të prepozohen strategjikisht në vende kyçe në Evropë këtë verë, si në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë. Ata do të qëndrojnë të gatshëm për të mbështetur brigadat lokale të zjarrfikësve, kur shkalla e një zjarri të egër mposht aftësitë e reagimit të një vendi. Përveç kësaj, do të ketë një flotë të dedikuar rescEU të avionëve zjarrfikës për këtë verë, e përbërë nga 28 aeroplanë dhe 4 helikopterë të stacionuar në 10 Shtete Anëtare.

600 milionë euro në fondet e BE-së janë ndarë gjithashtu për blerjen e avionëve shtesë të zjarrfikësve. Financimi shtesë do të shkojë për blerjen e 12 avionëve të rinj zjarrfikës në të ardhmen, të cilët do të shpërndahen midis gjashtë vendeve anëtare të BE-së, si dhe disa helikopterëve.

Veprimet e parandalimit, gatishmërisë dhe reagimit ndaj zjarreve të egra punojnë krah për krah për të shpëtuar jetë, mjete jetese dhe për të mbrojtur mjedisin. Ndërsa ndikimi i ndryshimeve klimatike ndihet më i mprehtë çdo vit, kërcënimi i zjarreve rritet gjithashtu, duke e bërë gjithnjë e më të rëndësishme përgatitjen e duhur./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Komani, liqenit që ndotja ia rrezikon bukurinë

Published

on

Liqeni i Komanit në veri të Shqipërisë është shndërruar në një atraksion turistik viteve të fundit, por bukuria e tij është duke u rrezikuar vazhdimisht nga mbeturinat e shumta që shihen në sipërfaqe.

Në fillim të muajit maj kur fotoreporteri i Radios Evropa e Lirë, Ibrahim Berisha vizitoi këtë liqe, aty shihej një sasi e madhe e mbeturinave, përfshirë thasë dhe shishe, si dhe gjësende tjera.

Liqeni rregullisht vizitohet nga turistë nga rajoni, si dhe nga vende të ndryshme të botës. Në të kaluarën, organizata që merren me mbrojtjen e mjedisit kishin ndërmarrë aksione për largimin e mbeturinave, por ato sërish janë kthyer në një sipërfaqe të madhe të liqenit.

Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin, që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona. Ky liqe artificial u ndërtua midis viteve 1979 – 1988 dhe mes tjerash shërben edhe për prodhimin e energjisë elektrike.

Tashmë një atraksion turistik në Shqipëri, bukuria e liqenit të Komanit është duke u rrezikuar vazhdimisht nga mbeturinat e shumta që shihen në sipërfaqe.

Liqeni i Komanit rregullisht vizitohet nga turistë nga rajoni, si dhe nga vende të ndryshme të botës.

Ky liqe artificial u ndërtua midis viteve 1979 – 1988 dhe mes tjerash shërben edhe për prodhimin e energjisë elektrike. Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin, që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Komuna e Prishtinës përmes dronit mbjell 3000 drunjë

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama njoftoi se  duke aplikuar teknologjin e avancuar përmes dronit të Green Wings për ripyllëzimin janë mbjell 3000 drunjë në Prishtinë.

“Kjo iniciativë do të ndihmojë në ripyllëzim, reduktimin e ndotjes së ajrit dhe promovimin e biodiversitetit për të krijuar një mjedis urban të qëndrueshëm, të pastër dhe të jetueshëm.

Vizioni ynë për Kryeqytetin përfshinë krijimin e hapësirave urbane më të pastra, më të gjelbëra dhe më të jetueshme. Ky vizion përfshinë një qasje holistike ndaj zhvillimit urban duke adresuar edhe sfidat mjedisore.

Plani i Veprimit për Qytetin e Gjelbër (GCAP) i miratuar nga Kryeqyteti ngërthen këtë vizion dhe përfshin masa konkrete për investime në infrastrukturë, dhe ndryshime tjera me fokus në transportin urban, efiçencën e energjisë së ndërtesave, menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza.”, deklaroi kryetari Rama./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending