Connect with us

Aktuale

Pse nuk po ndryshohet Ligji i stërvjetëruar i punës në Kosovë? Punëtorët vuajnë pasojat nga mos miratimi në Kuvend

Published

on

Në Programin Legjislativ, të hartuar nga Qeveria e Kosovës për këtë vit, thuhet se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Punës do të dërgohej në Kuvendin e Kosovës më 30 qershor 2023 për t’u proceduar tutje. Kjo dukej si shpresëdhënëse, marrë parasysh që qysh prej vitit 2012, Qeveria e Kosovës, përkatësisht atëherë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte filluar procesin e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji.

Përkundër kësaj, prej atëherë, qeveri të njëpasnjëshme, për arsye të ndryshme — përfshirë mungesën e stabilitetit politik — nuk kanë arritur as ta shtyjnë përpara miratimin e një Ligji të ri të Punës e as ta përmirësojnë ligjin aktual, i cili edhe vetë mezi u bë në vitin 2010. Kjo, ndër tjera, për shkak të kontekstit të vështirë historik para luftës në Kosovë dhe më pas vështirësive tjera të njëpasnjëshme në shtetndërtimin e Kosovës, që erdhën si rezultat i luftës.

Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, pas themelimit në vitin 2002, bënë përpjekje për të krijuar një ligj të punës mbështetur në legjitimitetin e institucioneve të reja, por një varg pengesash, si kostoja e lartë financiare dhe ekonomia ende e pangritur në këmbë, e vështirësuan një gjë të tillë. Pas shumë përpjekjeve, më në fund, në vitin 2010, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e Punës nën qeverisjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Që prej atëherë, marrëdhënia e punës në Kosovë rregullohet me këtë ligj, i pandryshuar që 13 vite. Ligji i Punës është dashur që të sillej në seancë të Kuvendit të Kosovës më 30 qershor. Por, fundi i vitit po afrohet dhe Qeveria, që edhe në programin qeverisës e kishte paraparë rishikimin e kornizës ligjore për të drejtat e punëtorëve, nuk e ka përmbushur as programin e as agjendën e vet legjislative.

Rrethana të reja, ligj i papërditësuar

Në parim, ligjvënësit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve, t’i përcjellin ato dhe të sigurohen që ligjet e miratuara të jenë në shërbim të qytetarëve dhe t’u përgjigjen nevojave të tyre përkitazi me gjendjen e përgjithshme sociale dhe ekonomike.

Ligji i Punës hyri në fuqi vetëm dy vite pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë. Shumëçka ishte ndryshe. Përgjatë 13 viteve, gjendja socio-ekonomike në botë e edhe në Kosovë ka ndryshuar rrënjësisht. Shumë prej këtyre ndryshimeve prekin drejtpërsëdrejti punëtorët, marrëdhënien e tyre me punëdhënësit dhe pozitën e tyre të përgjithshme në ekonomi dhe shoqëri.

Kriza ekonomike e vitit 2008, ndër më të mëdhatë e më të gjatat në histori, shkaktoi probleme të mëdha për punëtorët gjithandej botës. Ekonomitë e dobëta si kjo e Kosovës, u ndikuan nga efektet e kësaj krize, sidomos marrë parasysh që konteksti në Kosovë është i ndërlidhur fort me atë të Evropës në shumë aspekte, duke përfshirë remitencat qindra-milionëshe për çdo vit që vijnë nga diaspora.

Ndërkohë, brenda tri viteve, në periudhën 2012-2015 më shumë se 130,000 kosovarë migruan për në Evropën Perëndimore kryesisht për shkaqe ekonomike. Një statistikë interesante është që përkundër krizës në Evropë, remitencat në Kosovë u rritën edhe përgjatë viteve të rimëkëmbjes nga kriza, duke treguar nevojën në rritje për mbështetje financiare të njerëzve në Kosovë.

Tutje, periudha tre-vjeçare nga viti 2017 deri më 2019 u karakterizua me zhvillim më të lartë dhe më stabil ekonomik. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ekonomia kosovare shënoi rritje prej 4.4% në vitin 2017, 4.2% në vitin 2018 dhe 4.4% gjatë vitit 2019.

Mirëpo, pandemia COVID-19 dhe gjithçka që erdhi me të, shkaktoi njërën prej sfidave më të mëdha ekonomike në historinë moderne. Njëherit, kjo sfidë solli në sipërfaqe edhe mangësitë ekzistuese në tregun e punës e edhe ngriti nevoja të reja. Teksa ekonomia ndaloi për shkak të kufizimeve të rrepta që hynë në fuqi, shumë punëtorë humbën vendet e tyre të punës, duke mbetur me pak ose pa mbështetje nga bizneset dhe institucionet.

Ndër ata që u prekën më së shumti ishin punëtorët e tregut joformal, të cilët u varfëruan tutje në pamundësi që të kenë qasje në pakot emergjente, edhe ashtu të kritikuara si të varfëra në vetvete. Ky do të duhej të shërbente si momentum i rëndësishëm për ndryshime në qasjen legjislative karshi të drejtave të punëtorëve.

Tutje, çrregullimet në zinxhirin e prodhimit dhe të furnizimit që erdhën si rezultat, shkaktuan lëvizje të mëdha të çmimeve në tregje, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mirëqenien e bizneseve. Në këtë mes, punëtori u prek në dy rrafshe. Në njërën anë, u ngushtuan mundësitë në tregun e punës për shkak të sfidave nëpër të cilat kalonin bizneset; në anën tjetër, rritja e çmimeve e tkurri fuqinë e tyre blerëse.

Rritja e inflacionit vazhdoi edhe pas përfundimit të efekteve të pandemisë për shkak të pushtimit të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, gjë që e ndikoi shumë Kosovën për shkak të varësisë së madhe ndaj importit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni gjatë vitit 2022 ka qenë gati 12%. Rritja e çmimeve ka vazhduar edhe përgjatë vitit 2023, me inflacionin që tash qëndron në rreth 4%.

Krahas nevojës që ligjet të jenë sa më të përditësuara me nevojat në terren, ngjarjet e lartpërmendura të viteve të fundit e kanë konfirmuar nevojën për një ligj të punës që adreson problemet dhe është në pajtim me normat dhe parimet e legjislacionit të Bashkimit Evropian (BE).

Kompromis me cilësi

Punëtorët/et janë pjesë e pakapërcyeshme e zinxhirit ndërmarrës që sjell zhvillim të bizneseve dhe rritje ekonomike. Në sektorin publik dhe privat Kosova numëron rreth 350,000 punëtorë/e. Teksa dinamikat që kanë të bëjnë me punëtorët ndërruan dhe Kosova u përball me ngjarje që sfiduan rëndë pozitën e përgjithshme të punëtorit, të drejtat e punëtorëve në nivel institucional nuk pësuan ndonjë përmirësim të madh.

Qysh para hyrjes në periudhën e vështirë të pandemisë, një numër organizatash të shoqërisë civile (OShC) kishin arritur të bënin një draft të një niveli të lartë si propozim për Ligjin e Punës, që po të shndërrohej në ligj, do të mbulonte një pjesë të madhe të problemeve me të cilat përballen punëtorët, si dhe do të ishte në pajtim me frymën dhe direktivat e legjislacionit të BE, kornizë legjislative së cilës Kosova synon t’i përshtatet në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Ky draft ndërtohet mbi direktivat e marra nga ligjet e BE. Direktivat parashohin mbrojtje ligjore për shumë aspekte të punësimit, përfshirë ndër to marrëdhënien kontraktuale mes punëdhënësit dhe punëtorit, masat që inkurajojnë përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të punonjësve shtatzëna dhe punonjësve, të cilët kanë lindur fëmijë rishtazi ose i kanë në gjidhënie, e deri te aspekte të caktuara të orarit të punës, tepricat kolektive e të tjera.

Drafti i propozuar nga OShC rregullon në mënyrë të hollësishme çështjet e të drejtave të punës dhe kjo demonstrohet edhe në vëllimin e neneve që ofron. Drafti i propozuar përmban 235 faqe e ligji aktual në fuqi i ka gjithsej 29 faqe.

Po ashtu, me zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative e edhe me ndikimin e ngujimit si pasojë e Covid-19, viteve të fundit është rritur shumë numri i të punësuarve që punojnë përmes internetit ose për kompani vendore ose për kompani jashtë vendit, që në terma teknikë të punës njihet si “punë nga shtëpia” ose teleworking. Kompanitë e huaja delegojnë volumin e punës në shtete të tjera në këmbim të kompensimit më të ulët për punëtorët krahasuar me vendet ku kompanitë operojnë, në një marrëdhënie pune që njihet si outsourcing.

Ligji i propozuar nga OShC i adreson një sërë aspektesh të të punuarit nga shtëpia me një nen të veçantë, ndërkohë që ligji i tanishëm i punës nuk ka asnjë element që mbron këtë kategori të punëtorëve. Ligji aktual është anakronik në këtë pikë, një argument tjetër për nevojën që të bëhet një ligj i ri në vend të ndërhyrjeve të lehta në të vjetrin.

Në vitin 2019, në legjislacionin e BE u integrua direktiva mbi baraspeshën mes punës dhe jetës, e cila ka për qëllim të përmirësojë aspekte të ndryshme të së drejtës në pushim dhe organizim fleksibil të orarit të punës sipas nevojës së prindërve dhe punëtorëve të përkujdesit, si dhe tenton të adresojë pabarazinë për gratë në tregun e punës. Një prej masave të kësaj direktive është pushimi prindëror, ku parashihet që babai të ketë të drejtë të marrë së paku 10 ditë pushim nga puna rreth kohës së lindjes së fëmijës së tij, e drejtë që nuk parashihet me ligjin aktual të punës në Kosovë.

Ndërkohë edhe propozimet nga OShC shkojnë në atë drejtim. Përkundër kësaj, aktualisht, qasja e Qeverisë duket të jetë një që nuk parasheh ndryshime të mëdha, por vetëm ndryshime të ligjit aktual përmes procedurës së plotësim/ndryshimit, proces që sipas rregulloreve nuk lejon ndryshim të thellë të ligjit bazë.

Qeveria ka paraparë që ndryshimet e lejuara t’i kushtohen përmirësimit të gjendjes me pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror. Ndonëse këto do të ishin ndryshime të mirëseardhura, nuk do të ishin të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e grupeve të tjera të punëtorëve që ndikohen nga ky ligj.

Kjo qasje e shemb shpresën e punëtorëve dhe organizatave të shoqërisë civile për një ligj të ri të punës. Në këtë mënyrë, Qeveria duket se po shkon drejt kompromiseve të mëdha me cilësinë e Ligjit të Punës dhe po humb rastin që të bëjë një ligj të mirëfilltë dhe të pranueshëm nga të gjitha grupet e interesit.

Po ashtu, teksa nuk dëshiron të shtyjë përpara një proces që do ta nxirrte një ligj të ri, Qeveria nuk e ka shtyrë përpara as procesin e ndryshim-plotësimit të ligjit aktual, gjë që e ka propozuar vet.

Punëtorët janë ata që paguajnë secilën vonesë. Përderisa kjo çështje zvarritet, minatorët e Trepçës kanë mbajtur grevë urie me kërkesat për paga të rregullta, sigurim shëndetësor e kushte më të mira pune. Gjithashtu, sindikata e punëtorëve teknikë të Universitetit të Prishtinës, Mensës së Studentëve dhe Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar veprime sindikale për kërkesat e tyre.

Në këto rrethana, një ligj krejtësisht i ri i është i nevojshëm. Vetëm një ligj që do të ishte gjithëpërfshirës dhe do të merrte parasysh kërkesat e grupeve të interesit të kësaj fushe, do t’ia jepte një rast të mirë shoqërisë kosovare që të hapë dialog të shëndetshëm social dhe të përparonte të drejtat e punëtorëve. Zvarritja dhe ndryshimet e vogla me shumë gjasë vetëm do të hapin probleme të reja, me të cilat punëtorëve të Kosovës do t’u duhet të përballen sërish e për kohë të gjatë.

Autor i këtij opinioni është Arian Lumezi që punon si hulumtues dhe koordinator i projektit në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”. Më parë, ai ka punuar si gazetar në K2.0, para se të studionte për master në gazetari ndërkombëtare në Universitetin e Cardiff në Mbretërinë e Bashkuar përmes programit Chevening.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e kosovotwopointzero.com.
Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0. /Media Ndërtimi

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending