Infrastrukturë
Komunat e veriut nuk kanë linja të rregullta të transportit ndërurban me Prishtinën
Published
12 months agoon
Komunat e veriut të Kosovës nuk kanë linja të rregullta të transportit ndërurban me Prishtinën. Qytetarët udhëtojnë me kombi dhe mënyra alternative, kurse nga institucionet thonë se nuk ka kërkesa për linja të rregullta.
Në rrugën që të shpie në Zveçan në një autobus me mbishkrimin Novi Pazar- Leposaviq – Mitrovicë – Prishtinë, ishte ulur vetëm një burrë rreth të gjashtëdhjetave, shqiptar nga Lezha që ishte duke u kthyer nga një vizitë në Novi Pazar. Për një udhëtar, autobusi shkoi deri në Prishtinë.
Autobusët nga Novi Pazari i Serbisë janë të vetmit që kanë linjë të rregullt me Prishtinën e që kalojnë nëpër veri të vendit. Qytetarët e katër komunave veriore: Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut e Zubin Potok, që punojnë në Prishtinë, qoftë shqiptarë apo serbë, në mungesë të autobusëve, zakonisht udhëtojnë me kombi.
Në këto komuna ekzistojnë tri narrativ në lidhje me transportin ndërurban me Prishtinën: shqiptarët po braktisin fshatrat si pasojë e mungesës së transportit, serbët që punojnë në Prishtinë shprehin dëshirën për linja të rregullta, dhe një pjesë e serbëve nuk janë të interesuar që të shkojnë fare në Prishtinë.
Sfidat e transportit me të cilat përballen komunat veriore të Kosovës, veçanërisht në lidhjen me Prishtinën, nxjerrin në pah ndërveprimin kompleks të faktorëve politikë, etnikë dhe historik në rajon.
Megjithatë qytetarët mundohen të gjejnë zgjidhje tjera të përshatura. Zakonisht udhëtojnë me vetura personale, me autobusë të Novi Pazarit ose më së shpeshti nëse shkojnë njëherë në jug të Mitrovicës për të vazhduar më pas në Prishtinë.Si pasojë e mungesës së kërkesave nga qytetarët, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), thotë që nuk ka linja të rregullta në këto drejtime. Ndërkaq, nga shoqëria civile treguan që pavarësisht që një numri të vogël të qytetarëve u duhen linja të rregullta për shkak punojnë në Prishtinë, përsëri nuk ka kërkesa të mjaftueshme që të realizohet një gjë e tillë në mënyrë institucionale.
Shqiptarët braktisin fshatrat në mungesë transportiTre fshatrat e banuar me shqiptarë në Leposaviq, Cerajë, Bistricë e Koshtovë nuk kanë autobusë as për në Mitrovicë.
Driton Avdyli, banor i Cerajës së Leposaviqit për të shkuar deri në Mitrovicë, e më pas për të vazhduar tutje, pothuajse shumicën e kohës iu bashkëngjitet vëllaut të tij që udhëton me veturë, ose dikujt nga fshati që ka rrugën e përbashkët.
“Shumica e banorëve që e kanë braktisë fshatin janë për shkak të mungesës së transportit.., se janë rritur fëmijët me shku në shkollë, ose duhet me shku ose me u nalë krejt prej shkolle”- tha Avdyli për Kallxo.com.
Avdyli thotë që mungesa e transportit për kohë të gjatë është problemi kryesor për banorët. Ceraja i ka rreth 30 banorë shqiptarë.
“Për transport me kanë diçka me ba, edhe shteti ish dashtë me ditë ku dhe çka me investu qe me i joshë njerëzit me nejt këtu edhe me i kthy tjerët”- tha ai, i mllefosur.Izmir Zeqiri, tha që shqiptarët që jetojnë në atë anë, udhëtojnë me kombi-busë për shkak se as mes vete komunat nuk kanë linja.“Edhe për shqiptarët knej është problem me shku në Prishtinë. Po pse veç në Prishtinë e jo në Pejë, jo në Gjakovë. Me ardh në Prishtinë ka edhe për Skënderaj. Pse me ardh në Prishtinë? Nuk kemi arsye. Me dekada na nuk kemi transport për anej”- tha i mllefosur një qytetar i Zveçanit i etnisë shqiptare.
Një taksist, qytetar serb, tha që zakonisht qytetarët e Zveçanit nëse duan të shkojnë në Prishtinë përdorin taksinë për të shkuar në jug të Mitrovicës, për të vazhduar më pas në kryeqytet. Taksi nga Zveçani deri në jug të Mitrovicës kushton 15 euro, në bazë të asaj çka na ofruan taksistët për të shkuar deri në jug.
Kryetari i Zveçanit, Lulëzim Peci tha për Kallxo.com që nuk është dijeni nëse ka autobusë që qarkullojnë nga komuna që drejton për në Prishtinë, por me sa ka informacion nuk ka. Sipas tij, qytetarët më shumë udhëtojnë me kombi-busë nëse kanë nevojë.
Përderisa ekipi i Kallxo.com shëtiti nëpër qytet të Zubin Potokut hasi vetëm në autobusë që mbishkrim kishin emërtimin Kolasin Prevoz, ndërsa stacione të autobusëve nuk kishte askund.
Si kishte funksionuar më herët transporti ndërurban në komunat veriore?Praktika tjera për transportin ndërurban mes komunave ishin përdorur viteve të kaluara, por që nuk janë më ekzistuese. Lufta e fundit në Kosovë në vitin 1999 dhe tensionet e vazhdueshme ndëretnike në veri të vendit ka bërë që kjo pjesë e vendit të mbes e ndjeshme për një organizim të mirëfilltë.
Nga viti 1999 deri në vitin 2015, në Kosovë ka ekzistuar Transporti Humanitar me Autobus (THA) që ka shërbyer pa pagesë për komunitetet jo-shumicë. Qëllimi i këtij lloj transporti ishte të mbështeten komunitetet më të cenueshme për ta siguruar lirinë e tyre të lëvizjes që mundëson realizimin e të drejtave themelore në arsim, punësim, dhe kujdes shëndetësor.
Në fund të vitit 2013, Ministria e atëhershme e Infrastrukturës (MI) e shprehu qëllimin e saj për të bërë ndryshime në shërbimet e ofruara, përmes hartimit të një Udhëzimi Administrativ i cili do të ndërpriste programin e THA-së. Në pajtim me këtë ndryshim të politikave, në shtator të vitit 2014 të gjitha linjat e THA-së u ndërprenë dhe linjat komerciale filluan t’i mbulojnë disa nga ato linja. Që nga janari i vitit 2015, MI paraqiti një grup të ri të 13 linjave të THA-së në tërë Kosovën.
Pastaj, Ministria i kishte ndërprerë të gjitha linjat e THA-së në shtator të vitit 2014 dhe më vonë kishte rifilluar funksionimin e vetëm 13 linjave në janar të vitit 2015.Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi përkatësisht Ligjin për Transportin Rrugor dhe Udhëzimin Administrativ (UA) të vitit 2017 për subvencionimin e linjave ekonomikisht të paqëndrueshme, në transportin ndërurban ka bërë shfuqizimin e UA për transportin humanitar. Prej atëherë, kjo formë transporti nuk ekziston më./Media Ndërtimi
You may like
-
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
-
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
-
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
-
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
-
Një autostradë dixhitale do të ndërtohet mes Tokës dhe Hënës
-
Develon prezanton ekskavatorin tunelues DX235RTF-7
Infrastrukturë
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
Published
3 months agoon
July 25, 2024Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.
Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.
“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.
Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.
„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.
Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.
“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.
Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.
“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
Published
3 months agoon
July 25, 2024Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.
Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.
Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.
Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.
Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.
Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.
Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.
Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.
Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.
Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.
Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.
Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.
Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.
Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
Published
3 months agoon
July 25, 2024Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.
Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.
Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.
Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi