Connect with us

Ambienti

Kosova përballet me sfida serioze në mjedis dhe ndryshime klimatike

Published

on

Shqetësimet e organizatave të shoqërisë civile si dhe të mekanizmave të pavarur institucionalë për mos adresimin e sfidave të ndryshme mjedisore në Kosovë janë konfirmuar sërish në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023.

Në një situatë të tillë, Kosova vazhdon që të përballet me mjedis të degraduar, gjë që ka ndikim negativ si në shëndetin e qytetarëve ashtu edhe në përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetit.

Raporti i KE për Kosovën për vitin 2023 thekson se Kosova është në fazën e hershme të përgatitjes sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, përderisa në periudhën raportuese ka bërë progres të kufizuar, me miratimin në muajin mars të Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes.

Sipas BE-së, Kosova duhet ta rrisë përkushtimin politik dhe kapacitetin administrativ për të adresuar çështjet që ndërlidhen me degradimin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, dhe po ashtu për të përmirësuar zbatimin e legjislacionit, me ç’rast këto përpjekje duhet të jenë në linjë me qëllimet e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Raporti për këtë vit ka konstatuar se rekomandimet e vitit të shkuar nuk janë zbatuar, dhe se në vitin e ardhshëm Kosova duhet të përqendrohet në: rritjen e mbulueshmërisë së grumbullimit të mbeturinave; aplikimin e masave për reduktimin, ndarjen, riciklimin dhe ripërdorimin e mbeturinave; adresimin në mënyrë efektive të çështjes së deponive ilegale; futjen e masave të ekonomisë qarkore për reduktimin e mbeturinave, zhvillimin dhe miratimin e planeve të menaxhimit të integruar ndërkomunal për mbeturinat; vendosjen e sistemit të zgjeruar të përgjegjësisë së prodhuesve; intensifikimin e punës për uljen e ndotjes industriale përmes zbatimit të ligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes; pastaj harmonizimin dhe fillimin e zbatimit të dispozitave ligjore për përgjegjësinë mjedisore, dëmin dhe krimin; të zbatojë parimin ndotësi paguan dhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e mjedisit; dhe zbatimin e strategjisë për ndryshimet klimatike dhe planin e veprimit për ndryshimet klimatike; të përgatisë një udhërrëfyes për përafrimin me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe acquis për klimën; të miratojë planin kombëtar të energjisë dhe klimës, në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë, dhe të finalizojë hartimin e strategjisë afatgjatë të de-karbonizimit dhe të përgatitet për harmonizimin me Sistemin ETS të BE-së.

Lidhur me sektorin e mjedisit, në Raport thuhet se Kosova duhet të ndërmarrë masa për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve mjedisore në nivel qendror e lokal, të zbatojë reforma strukturore dhe të sigurojë bashkëpunimin ndërinstitucional. Gjithashtu nevojitet rishikimi dhe miratimi i strategjive, planeve të veprimit dhe legjislacionit relevant për të siguruar koherencën me objektivat e Agjendës së Gjelbër. Në këtë pikëpamje është cekur se si është vonuar miratimi i Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm 2022-2030, ndërkohë që ka sfida për të zbatuar kornizën strategjike shkaku i mos ndarjes së fondeve të mjaftueshme, kapaciteteve të ulëta administrative dhe teknike dhe mbështetjes së madhe te donatorët.

Raporti gjithashtu ka theksuar se në këtë fushë, Kosova duhet të konsultohet në mënyrë të domethënëse me shoqërinë civile, si dhe të rrisë vetëdijen e publikut dhe të institucioneve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

BE-ja ka vënë në pah se cilësia e ajrit respektivisht ndotja e ajrit vazhdon që të rrezikojë shëndetin e qytetarëve. Tek menaxhimi i mbeturinave është hasur ca progres në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, por se paqëndrueshmëria e sistemit është çështje që mbetet të adresohet, bashkë me forcimin e kapaciteteve inspektuese në nivel qendror e lokal.

Sipas raportit, Kosova ka pasur progres të kufizuar sa i përket përafrimit të legjislacionit për ujërat me atë të BE-së, me ç’rast në mënyrë urgjente duhet të krijojë sistemet e monitorimit me të dhënat që duhet ti prezantohen publikut. BE-ja ka konstatuar se nuk ka pasur fare progres sa i përket mbrojtjes së natyrës, derisa ca progres ka pasur në pylltari, kryesisht në planifikim e menaxhim, por që shpyllëzimi dhe prerja ilegale e pyjeve mbeten çështje shqetësuese.

Progres të kufizuar ka pasur në përafrimin e legjislacionit sa i përket ndotjes industriale dhe menaxhimit të riskut, derisa ecuria e zbatimit të dispozitave ligjore është e ngadaltë, duke rrezikuar kësisoj tokën, ujin dhe shëndetin. Progres nuk ka pasur te kimikatet e as te ndotja akustike. Ne periudhën raportuese, Kosova nuk ka bërë asnjë përparim sa i përket vlerësimit të nevojave të rrezikut nga fatkeqësitë. Ndërkaq te ndryshimet klimatike, zbatimi i strategjisë dhe planit të veprimit është shumë i kufizuar, ndërkohë që ligji përkatës nuk është miratuar, dhe duhet bërë përpjekje për rritjen e ndërgjegjësimit.

Gjetjet e këtij raporti nënvizojnë se Kosova është ende shumë larg nga plotësimi i kritereve të BE-së në raport me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. BE-ja promovon veprime të fuqishme në raport me ndryshimet klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit.

Prandaj angazhimi i institucioneve publike në të gjitha nivelet duhet të jetë drejt ndërmarrjes së veprimeve dhe masave për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, me qëllim që të ruhet biodiversiteti dhe shëndeti i qytetarëve.

Me këtë rast duhet përkujtuar se pos tjerash, mbrojtja e mjedisit, është njëra prej vlerave mbi të cilat bazohet rendi kushtetues i Kosovës, prandaj dhe kujdesi në këtë drejtim duhet të jetë i shtuar nga të gjithë hisedarët./Media Ndërtimi

Ambienti

Raportimi në media për ndryshimet klimatike duhet të kthehet në prioritet

Published

on

Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën dhe shkencëtarët, por edhe për të prodhuar konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.

Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.

Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun.

Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.

Takimi është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i rolit të medias në adresimin e emergjencës klimatike,” të mbështetur nga Smart Balkans, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, dhe koordinuar në nivel rajonal nga Shkolla e Gazetarisë Novi Sad./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës!

Published

on

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës dhe sistemet e saj ujore janë nën stres në rritje. Mungesa e ujit prek 30% të evropianëve dhe 20% të tokës çdo vit. Në fakt, 70% e qytetarëve evropianë kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ujit dhe mungesën e ujit, e megjithatë pothuajse gjysma e tyre nuk ndihen mirë të informuar për problemet që lidhen me ujin në vendin e tyre.

Kjo është arsyeja pse fushata #WaterWiseEU u prezantua së fundmi, një nismë që do të kontribuojë drejt një Evrope elastike ndaj ujit deri në vitin 2050.

Cikli ynë i ujit, procesi me të cilin uji lëviz nëpër tokën, detet dhe atmosferën e Tokës, është i ndërprerë dhe duhet të rregullohet. Aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike po dëmtojnë ekosistemet dhe po çojnë në më shumë avullim, më shumë përmbytje, më shumë thatësirë ​​– dhe më pak ujë për ne dhe gjithë jetën tjetër që varet prej tij.

Fushata e komunikimit #WaterWiseEU, e cila do të zgjasë deri në vjeshtë, synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth kësaj dhe të ndriçojë në qendër të vëmendjes zgjidhjet e shumta të disponueshme. Zgjidhje të tilla si rritja e ruajtjes natyrore të ujit, rimbushja e ujit nëntokësor dhe rindërtimi i shëndetit të tokës, por edhe menaxhimi i zgjuar i ujit, efikasiteti i ujit dhe ripërdorimi.

Duke punuar së bashku, ne mund të ndryshojmë perceptimet ekzistuese për ujin dhe ‘Shiko ujin ndryshe’, siç thuhet në sloganin zyrtar të fushatës.

Fushata ka zhvilluar një sërë asetesh, duke përfshirë pamje të gatshme dhe mesazhe, të cilat po i vë në dispozicion të partnerëve të fushatës për t’i përdorur. Partnerët inkurajohen t’i përdorin këto mjete për të ndezur një bisedë, për të organizuar ngjarje dhe për t’u lidhur me veprimet e tyre të komunikimit./Media Ndërtim

Continue Reading

Ambienti

Zgjerohen shtigjet në Parkun e Gërmisë drejt Gollakut

Published

on

Projekti i zgjerimit të shtigjeve në Parkun e Gërmisë është një iniciativë e rëndësishme që ka mundësuar ndërlidhjen e zonave të banimeve përreth Parkut të Gërmisë me rrjetin qendror të shtigjeve. Ky projekt përfshiu katër shtigje të reja të cilat u inkorporuan në hartën e përgjithshme turistike të Parkut të Gërmisë, të plotësuar me:

Harta të Detajuara: Sigurimi i hartave të reja dhe të azhurnuara për vizitorët.

Digjitalizim: Përfshirja e shtigjeve në platforma digjitale për lehtësimin e aksesit dhe navigimit.

Shenjëzim: Vendosja e shenjave orientuese dhe informative për të drejtuar vizitorët në shtigje të ndryshme.

Kioska Informative Malore: Krijimi i kioskeve që ofrojnë informacione të nevojshme për vizitorët.

Kryeqyteti Prishtina vazhdon të avancojë drejt konceptit shëndetësor, rekreativ dhe turistik të shtigjeve. Ky projekt ka vendosur këtë zonë në hartën turistike dhe kulturore të rajonit, duke promovuar:

Turizmi i Qëndrueshëm: Përqendrimi në aktivitete që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që mbështesin ruajtjen e tij.

Ambientalizmi: Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.

Gjithëpërfshirja: Përfshirja e banorëve të Prishtinës në proceset vendimmarrëse dhe aktivitete mjedisore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending