Ish- vila e diktatorit Enver Hoxha ose e njohur ndryshe si “rezidenca qeveritare Vila 31”, do të shfrytëzohet për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.
Ky vendim është marrë ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave. Sipas vendimit, zbatimi i projektit do të bëhet nga Ministria e Kulturës, e cila do të marrë përsipër vetëm tarifat e furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe koston e mirëmbajtjes së trajtimit të këtyre ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim.
Ish- godina e Diktatorit gjendet në qendër të Tiranës në lagjen e quajtur ish-Blloku, ku gjatë periudhës komuniste 1944-1991 jetuan familjet e kupolës së njërit prej regjimeve më të egra të Lindjes. Hoxha e drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt derisa vdiq në vitin 1985, ndërsa pasardhësi i tij, Ramiz Alia ishte i fundit president që iku nga pushteti në të gjithë vendet e Lindjes pas rënies së “Perdes së hekurt”.
Shtesa e re e ndërtesës që ishte bërë në vitin 1973, pas vitit 1991 u menaxhua nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe ka shërbyer për pritje zyrtare dhe aktivitete të ndryshme. Pjesa e vjetër e saj funksionon aktualisht si biznes, hotel dhe restorant./Media Ndërtimi