Infrastrukturë
Lekaj premton rregullimin e rrugëve në Shalë të Bajgorës
Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi zonën e Shalës së Bajgorës, me ç’rast u ndal në fshatin Kaçandoll, ku u njoft për së afërmi me gjendjen e infrastrukturës rrugore, si dhe me potencialet e këtij rajoni për zhvillimin e disa degëve të ekonomisë: turizmit, hotelierisë, blegtorisë, bletarisë e të tjera, për të cilat bisedoi edhe me qytetarë të kësaj ane.
Me rastin e qëndrimit në Shalë, ministri Pal Lekaj deklaroi se do t’i jep prioritet rrugëve që ndikojnë në zhvillimin e turizmit.
“Prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës do të jetë trajtimi i infrastrukturës rrugore me standard, që do të ketë impakt të mirë në zhvillimin ekonomik – në turizëm, blegëtori etj. por që do të ketë qasje më të lirshme edhe për të gjithë qytetarët. Ajo që zotohem unë bashkë me bashkëpunetorët e mi është se ne do t’u japim prioritet këtyre segmenteve rrugore, që kanë impakte pozititve në zhvillimin e turizmit. Është për të ardhur keq se si nuk është zhvilluar turizmi në këto anë, ku ka bukuri të rralla natyrore. Mendoj që kjo është dashur të ketë trajtim më të mirë, mirëpo ne do të fokusohemi në atë që kjo pjesë të zhvillohet më shumë, sidomos turizmi, që do të ndikojë në ngritjen e standardit të këtyre njerëzve që jetojnë në këtë zonë”, ka thënë ai.
Gjatë kthimit nga Shala e Bajgorës, ministri Lekaj vizitoi stacionin e autobusëve në Mitrovicë, drejtuesit e të cilit e informuan për gjendjen e kësaj ndërmarrjeje publike e në veçanti me gjendjen dhe me problemet që ekzistojnë në lëmin e transportit publik të udhëtarëve, siç janë transportuesit ilegalë e të tjera.
“Ne erdhëm të bashkëbisedojmë, që të kuptojmë se çka mund të bëjmë ne si ministri për ju brenda përgjegjësive dhe kompetencave tona. Unë e di që pas shndërrimit të stacioneve të autobusëve në ndërmarrje publike, ato si prona u takojnë komunave, por kjo nuk do të thotë që ne të heqim dorë nga to dhe t’i lëmë në mëshirën e fatit. Unë sot morra një pasqyrë reale se si funksionon ky stacion dhe kemi marrë parasysh kërkesën tuaj që departamenti i inspektoratit të MI-së të jetë më aktiv këtu. Ne do të bashkëbisedojmë me kryetarin e komunës që të kemi një bashkëpunim me transportin urban dhe të gjejmë një formë që të ndalojmë transportuesit ilegalë”, shtoi Lekaj.