Lutfi Zharku, ish-ministër i Infrastrukturës, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se kontrata lidhur me projektin “Arbën Xhaferi” ishte nënshkruar diku në fillim të korrikut në vitin 2014 në shumën 600 milionë euro dhe se si Qeveri e re e kishin gjetur kontratën e nënshkruar.
“Kontrata e ka pas shumën prej 600 milionë euro, e cila është nënshkru mes “Betchel-Enka” dhe Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Infrastrukturës”, tha Zharku.
Sipas tij, ajo që ka qenë evidente është mospërputhja e kontratës me ndarje buxhetore në bazë të Ligjit për Buxhetin, ashtu që është dashur një menaxhim i kontratës me “Betchel-Enkan” që ata të punojnë në përputhje me ndarjen buxhetore të Ligjit për Buxhetin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Si shifra të përgjithshme, Zharku tha se të ndara në buxhet kishin qenë 80 apo 85 milionë, ndërkaq ishin shpenzuar 50-55 milionë.
Ai tha se në mbledhjet e fundvitit, mjetet e projekteve që nuk janë kryer janë bartur në “Betchel-Enka”.
Sipas Zharkut, gjatë mandatit të tij lidhur me realizimin e pagesavevazhdimisht ka pasur një shpërputhje të vogël mes punës që është kryer dhe faturave, por që të gjitha faturat në fund të vitit janë paguar.
“Nuk ka asnjë rast që ‘Betchel-Enka’ e ka bo një shkresë te na për mungesë, që e kanë bo një faturë apo shkresë që e ka kry punën dhe nuk e kemi kryer borxhin, kurrë s’kemi pas asi rasti”, ka thënë dëshmitarit Zharku.
I pyetur për pagesat për muajt janar-maj se si janë kryer, Zharku tha se të gjitha janë kryer me buxhet të vitit 2017 sepse ka qenë një shumë e madhe prej 170 milionë apo 200 milionë, e ndarë derisa kanë qenë në Qeveri.
Ndërkaq, lidhur me aneks-kontratën, Zharku tha se nga mesi i vitit 2016 kishte qenë evidente që nuk mund të përfundohet kontrata sipas afatit përcaktues, e cila kishte qenë deri në janar të 2018-ës, pra 42 muaj.
Ai tha se kishin biseduar me mbikëqyrësin e punimeve, menaxherin e kontratës “Hill International” për të gjetur një zgjidhje për vazhdimin e kontratës për shkak të mungesës së buxhetit, duke ardhur në përfundim se aneksi që është miratuar në përputhje me kontratën t’iu zgjatet afati i kryerjes së punimeve për 11 muaj e 13 ditë.
Ai tha se kompania “Hill International” është menaxher i kontratës, që nënkupton se ata mbajnë përgjegjësi për realizimin e saktë të punimeve dhe zbatimin e çdo dispozite të kontratës.
Ndërsa, i pyetur se si ka funksionuar aneks-kontrata, Zharku tha se ata si komision ndërministror jenë mbledhur, kanë shqyrtuar dhe aprovuar propozimin e “Hill” për zgjatjen e punimeve dhe koston e asaj zgjatje.
“Ka qenë 18 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2018, ndërsa kostoja e përgjithshme ka qenë 14 milionë e 788 mijë euro si shumë e rrumbullaksuar”, tha ai.
Tutje, Zharku tha se pasi që është përcjellë aneks-kontrata në Qeveri, pas 2 muaj konsultimesh Qeveria iu kishte kthyer që nuk kanë nevojë të ndërhyjnë në proces, me arsyetimin se komiteti ndërministror ka kompetenca të mjaftueshme./Media Ndërtimi