Një grup qytetarësh dhe organizatash mjedisore dorëzuan një padi kundër TEC-it lundrues të Vlorës.
Ata kërkojnë rrëzimin e kontratës së qiramarrjes të TEC-it lundrues të instaluar tek porti i peshkimit në Vlorë, të sjellë nga Bangladeshi për të prodhuar energji duke djegur naftë të rëndë.
“Kontrata parashikon që qiradhënësi konsorciumi Excelerate energy + Renco paguhet me 94 000 euro në ditë për shërbimin e prodhimit të energjisë. Deri sa të saktësohet ku ndodhen këto kompanitë e konsorciumit, të cilat marrin milionat, sipas kontratës janë paditur vetëm institucionet lejedhënëse dhe firmosëse shqiptare”, thuhet në njoftimin e Mjedisi.al.
Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një kosto prej 46 milionë dollarësh.
Aktivistët pretendojnë se anijet e ardhura nga Bangladeshi janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion, madje në dy vitet e fundit nuk janë përdorur as nga Bangaldeshi.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka deklaruar se dy anijet do të prodhonin energji 55 megavat-orë secila, pra në total 110 megavat-orë për t’u shpërndarë në sistemin tonë të energjisë elektrike.
Kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite sipas KESH do të jetë rreth 330 milion dollarë, në varësi të çmimit të karburantit të rëndë që do të shërbejë si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë.
Qeveria shqiptare këmbëngul se dy anijet termocentral, që u vendosën vetëm disa qindra metra larg termocentralit të Vlorës,- i cili edhe pse ka kushtuar 130 milionë dollarë për t’u ndërtuar, nuk u vendos në punë-, nuk janë të rrezikshme për mjedisin sikurse thonë ambientalistët. Qeveria po ashtu thekson se anijet termocentral do të sigurojnë energji më të lirë se ajo që Shqipëria mund të blejë në treg.
Qeveria ka deklaruar se puna do të niste në fillim të vitit 2023, pasi anijet të ishin fiksuar dhe lidhur me rrjetin elektrik. Korporata Eletroenergjetike Shqiptare, KESH, që i i ka marrë me qira dy anijet, ka thënë se ato u bënë të nevojshme për shkak të krizës.
Por ende sot në maj të 2023 anijet nuk kanë filluar të prodhojnë energji. Sa i përket krizës energjitike, ambientalistët kanë sugjeruar se mund të përdoren zgjidhje alternative siç është energjia fotovoltaike.
Energjia diellore fotovoltaike është një burim i pastër, i rinovueshëm i energjisë që përdor rrezatimin diellor për të prodhuar energji elektrike. Ajo bazohet në të ashtuquajturin efekt fotoelektrik, me anë të të cilit disa materiale janë në gjendje të thithin fotone (grimcat e dritës) dhe të lëshojnë elektrone, duke gjeneruar një rrymë elektrike./Media Ndërtimi