Në rrugën gjarpërore, të rrethuar me gjelbërim, shihen vetëm disa shtëpi larg.
Në fund të kësaj rruge, në fshatin kodrinor Kukaj, papritmas has në gjallëri të pazakontë.
Kompleksi i ndërtesave me gurë, që po zgjerohet për më shumë se një dekadë, çdo vit gjatë verës është mikpritës i festivalit, Etnofest.
Festivali, në fshatin e Prishtinës, synon ekspozimin dhe ruajtjen e traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe veprave të tjera të artit.
“Kur e kam blerë këtë vend, kam ardhur nga Prishtina. Kam menduar të jem i izoluar, të shkruaj, të jem në relacion me natyrën, larg zhurmave të Prishtinës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fadil Hysaj, themelues i këtij festivali.
Hysaj, regjisor teatri, kujton se para se më shumë se 13 vjetësh, aty kishte blerë një shtëpi dhe një ahur të vjetër të ndërtuar me gurë.
Pronari i tokës i kishte sugjeruar që ta rrënojë ahurin dhe t’i përdorë gurët për të veshur shtëpinë.
“I thash jo, nuk mund ta prishi ahurin sepse është një monument, është i vjetër”, kujton Hysaj.
“Çfarë po të duhet, a do ta bësh teatër këtu?”, i ishte përgjigjur pronari.
Kjo, thotë Hysaj, ia kishte ndezur dëshirën e parë, që këtë vend njëmend ta shndërronte në teatër, e më vonë edhe në një qendër kulturore e festival, siç është Etnofest-i.
Nëpër kompleksin në Kukaj, janë krijuar disa hapësira për ekspozita, skena teatri, e mini-muze që përmbajnë objekte të vjetra, të përdorura në kulturën shqiptare.
Në edicionin e 13-të, festivali ka tematikën e lirisë, përkatësisht lirisë për të qenë vetvetja.
“Duhet të zbulojmë brenda vetes kush jemi ne, dhe a jemi të lirë të jemi ata që jemi. Apo duhet të jemi ashtu çfarë kërkohet prej neve”, thotë Hysaj.
Festivali, që nisi më 13 gusht, do të vazhdojë deri më 20 gusht. Ai mbështetet kryesisht nga Ministria e Kulturës dhe pret qindra vizitorë çdo vit.