23 pasuri mes tyre, 6 biznese, truall toke, apartamente dhe makina janë sekuestruar nga SPAK, të cilat ishin në pronësi të biznesmenit me 2 emra, Anton Gjinaj (Pashuk Gjinaj), lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, i cili rezulton i dënuar në Spanjë në vitin 2010, me 8 vite burg e 9 muaj, për trafikimin e 50 kg heroine. Anton Gjinaj u arrestua në prill të vitit 2021 në Malin e Zi nga Interpol, ndërsa rezulton të jetë pronar i kompanisë së ndërtimit “Alesio-2014”, e cila tashmë është sekuestruar nga SPAK, në aktivitetin e së cilës janë një numër i konsiderueshëm biznesesh që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Kavajë e më gjerë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se Anton Gjinaj (Pashuk Gjinaj) aktualisht po vuan dënimin në burgun e Reçit në Shkodër, pasi është sjellë nga Spanja vetëm dy muaj më parë. Biznesmeni Anton Gjinaj është ndjekur nga DEA amerikane për drogën në Spanjë, e cila i ka sjellë provat autoriteteve shqiptare.
Konkretisht SPAK ka sekuestruar 6 biznese: ‘Alesio-2014’, ‘Deizi-M’, ‘Polystyrene (EPS) Manufacturer, xyz 08’, ‘Foralb Alabaster’, ‘XYZ 08’, ‘Garden Residence Turdiu’. Po ashtu SPAK ka sekuestruar 4 pasuri të llojit truall, në Tiranë, 6 pasuri të llojit arë, po në Tiranë, 1 apartament e 2 ndërtesa si dhe 4 makina.
Sipas SPAK nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) GJINAJ (Gjini) dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë.
Anton Gjinajt të cilit sot GJKKO ka vendosur sekuestrimin e 23 pasurive, rezulton të jetë pronar i kompanisë “Alesio-2014”, në aktivitetin e së cilës janë një numër i konsiderueshëm biznesesh që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Kavajë e më gjerë. Po ashtu ai njihet edhe me emrin Pashk Rrapi, emër me të cilin u identifikua fillimisht në Mal të Zi. Ligji për prokurimin publik në Shqipëri parashikon përjashtimin nga tenderat dhe kontratat që vijnë nga organet publike të njerëzve që rezultojnë të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për veprimtari në fushën e lëndëve narkotike. Në këtë rast duket se ka patur një ‘përjashtim’ pasi pavarësisht se në Spanjë Gjini rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg, ka mundur të fitoj tendera të shumtë.
Kompania “Alesio-2014” rezulton të ketë fituar 10 tendera. I fundit është ai i datës 24 shkurt 2021, për blerje asfalti për rrugë urbane dhe rurale, nga ndërmarrja e rrugëve në Durrës. Në këtë tender bie në sy shuma shumë e afërt e fondit limit me atë që ka vënë në dispozicion kompania fituese. “Alesio-2014” është shpallur fituese me 34,981,280 lekë të reja, përkundejt 34,999,000 fondit limit. Po ashtu, kjo kompani rezulton të ketë fituar tendera asfaltimi në Fushë Krujë, Krujë, Thumanë e më gjerë.
Ai u arrestua në prill të vitit të kaluar në Mal të Zi për llogari të autoriteteve spanjolle. Më herët, ka qenë Interpol Madrid, i cili ka ngritur alarmin e kuq për këtë shtetas. Ai pritet të ekstradohet në drejtim të Spanjës, për të vuajtur dënimin e dhënë nga shteti iberik. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.