Agjencitë turistike në Kosovë, përmes rrjeteve sociale dhe në forma të tjera, reklamojnë gjatë gjithë vitit oferta për udhëtime dhe pushime jashtë vendit.
Por, këto oferta, sivjet, janë më të shtrenjta se një vjet ose dy vjet më parë. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe Shpëtim Turku, drejtor i agjencisë “Fibula” në Kosovë, e cila merret me organizimin e udhëtimeve.
“Minimumi i ngritjes së çmimeve është 15 për qind [krahasuar me vitin paraprak]. Ka disa hotele që shkojnë deri në 50 për qind dhe 70 për qind [më shtrenjtë]. Varet prej kategorisë së hoteleve dhe prej vendit në rajon dhe në përgjithësi ku ne i dërgojmë, në Turqi, Dubai, Maldive etj.”, thotë Turku.
Ai shton se, ndër vendet e rajonit, Kroacia i ka shtrenjtuar ofertat deri në 50 për qind, ndërsa Mali i Zi deri në 30 për qind.
Shtrenjtim të ofertave, sipas tij, ka edhe në Shqipëri, për shkak të forcimit të monedhës së këtij shteti, në krahasim me euron. Aktualisht, 1 euro këmbehet me rreth 100 lekë. Në muajin prill të këtij viti, sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej me rreth 120 lekë.
Florim Beqiri thotë se ai dhe bashkëshortja e tij janë të punësuar, por se nuk arrijnë të ndajnë të holla për të siguruar një pushim të shkurtër në det.
“Çmimet, posaçërisht të ushqimit, janë shtrenjtuar në masë shumë të madhe, por edhe banimi është shtrenjtuar. Për sivjet e kemi ‘fshirë’ detin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Mërgim Bekteshi punon në sektorin publik, ashtu sikurse edhe bashkëshortja e tij. Ai thotë se vitin e kaluar nuk kanë mundur të bëjnë pushime, ndërsa, sivjet, planifikojnë të shkojnë në bregdetin e Shqipërisë, por për kohë të shkurtër.
“Në mungesë të mjeteve ndoshta do të jetë për kohë më të reduktuar. Një ose dy ditë, jo më shumë. Kjo është e tëra. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Këto çmime janë të papërballueshme me paga nga sektori publik. Kjo është arsyeja”, thotë Bekteshi.
Destinacione më të shpeshta pushimesh për qytetarët e Kosovës janë bregdeti i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në vend, për dhjetë vjet, është rritur 138 euro. Nga 383 euro sa ka qenë në vitin 2012, ajo është bërë 521 euro në vitin 2022.
Sipas të dhënave të ASK-së, të publikuara në korrik, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ka qenë më i lartë për 2.8 për qind në qershor të këtij viti, krahasuar me muajin qershor të vitit 2022./Media Ndërtimi