Connect with us

Infrastrukturë

Ministria për Komunitete kontraktoi ndërtimin e shtëpive për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

Published

on

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”. Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse Ministria ka arritur të kontraktojë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit me çmime të arsyeshme duke u bazuar në analiza paraprake të mirëfillta. Po ashtu, ky auditim ka vlerësuar nëse këto shtëpi janë ndërtuar plotësisht, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore sipas planit dhe limiteve buxhetore.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar kontratat për ndërtimin e shtëpive për periudhën 2017-2022, në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro dhe auditimi përfshinë vlerësimin e nevojave, përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratës, arritjen e ekonomisë gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të shtëpive dhe efikasitetin në përmbushjen e këtyre kontratave. Subjekt i këtij auditimi është Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Auditimi ka konstatuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ishte ekonomike në kontraktimin e ndërtimit të shtëpive. Mangësitë ishin evidente nga faza e vlerësimit dhe arsyeshmërisë së nevojave dhe hulumtimi i çmimeve të tregut. Ministria kishte filluar procedurat e prokurimit pa pasur informacionet e duhura për përfituesit dhe statusin e tyre të banimit. Praktika e tillë ishte përsëritur edhe në kontratën e dytë pavarësisht problemeve të hasura në kontratën e parë. Ministria ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 832,033 euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut, kjo vetëm duke krahasuar së paku me çmimet e Administratës Tatimore të Kosovës.

Ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera. Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive. Progresi i Ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm se sa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj (2.4 vite) ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi.

Ministria nuk ishte ekonomike në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit sepse nuk kishte bërë vlerësim të duhur të nevojave, si në aspektin e pozicioneve të nevojshme ashtu edhe në numrin e shtëpive që do të ndërtohen. Po ashtu, Ministria nuk ka kryer hulumtimin e duhur të çmimeve të tregut dhe nuk ka arritur të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës në mënyrë të duhur.

Ministria kishte kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 4.4 milionë euro për kontratën e parë dhe 3.8 milionë euro për kontratën e dytë. Mirëpo, nëse Ministria do t’i kishte përfshirë vetëm pozicionet që janë shfrytëzuar realisht, mund t’i kontraktonte ato për 2.4 milionë euro dhe 2.1 milionë euro. Për më tepër, pozicionet e papërdorura kishin çmime dukshëm më të ulëta, pavarësisht se shërbenin për të njëjtin qëllim (p.sh. materiale izoluese, dyer dhe dritare).

Mangësi kishte edhe menaxhimi i kontratave sepse nuk ka plane dinamike për secilën shtëpi dhe ndryshimet në pozicione nuk ishin evidentuar.

Kombinimi i ndërtimeve jashtë planeve sipas projekteve kryesore, mospërputhjet në pozicione, pagesat për punët e papërfunduara dhe progresi i ngadaltë në përmbushjen e kontratës së dytë janë ndër gjetjet kryesore që i kanë kontribuar Ministrisë për të mos siguruar strehim adekuat për të kthyerit./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh

Published

on

Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.

Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.

“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.

Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.

„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.

Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.

“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.

Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.

“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme

Published

on

Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.

Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.

Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.

Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.

Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.

Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.

Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.

Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.

Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.

Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.

Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.

Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.

Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.

Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri

Published

on

Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.

Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.

Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.

Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.

Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi

Continue Reading

Trending