Në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, punohen tash e sa vite projekte të robotikës nga nxënësit dhe me këto projekte ata marrin pjesë në gara të teknologjisë.
Këtë vit, ata do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e Gjenive në Amerikë, mirëpo ky nuk është suksesi i vetëm i tyre.
Robotika ka mbushur kabinetet dhe korridoret e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan.
Në këtë shkollë nxënësit punojnë pas orarit të mësimit disa projekte, me të cilat marrin pjesë në gara dhe sfida të ndryshme të teknologjisë.
Me projektet që i kanë punuar për këtë vit, ata do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e Gjenive, në Amerikë. Këta nxënës e përbëjnë grupin e teknologëve të kësaj shkolle, i cili daton që nga viti 2006, me përbërje 80 deri 100 nxënës pothuajse për çdo vit.
Ata fillimisht e kanë sfiduar vetën e tyre në gara të organizuara nga USAID brenda Kosovës, pastaj kanë vazhduar të zgjerojnë interesimin edhe në gara jashtë Kosovës.
Hajriz Rashiti, arsimtar i teknologjisë në këtë shkollë, njëherit edhe udhëheqës i këtij grupi, ka thënë se për shkak të rezultateve të mira në garat e Kosovës, është paraqitur nevoja që të provojnë të dalin edhe jashtë Kosovës, dhe ata depërtuan jashtë që nga viti 2018, fillimisht në Amerikë.
“Mirëpo na nuk u ndalëm veç me aq, vitin tjetër e provuam me shku në Keni, është një garë atje në Nairobi të Kenisë, edhe kemi shku me dy projekte atje, kena marrë një medalje të argjendtë edhe një të bronztë” – ka thënë Rashiti për Kallxo.com.
Në anën tjetër, nxënësit thonë se këto aktivitete iu pëlqejnë shumë, dhe se kanë mësuar shumë prej tyre. “Këto aktivitete shumë më kanë pëlqy për shkak se robotika ëshë një gjë që më pëlqen se rritë interesin dhe nivelin e kreativitetit te një fëmijë” – është shprehur nxënësja Marta Çerkini./Media Ndërtimi