Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mesin e muajit janar, kur një pjesë të tokës e ka shpallur “pronë të paluajtshme me interes të veçantë publik, e cila është e nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Më 2 shkurt, ka miratuar një vendim, me të cilin ka autorizuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që “të kryejë punë përgatitore për të përcaktuar përshtatshmërinë potenciale të një ose më shumë parcelave të patundshmërisë, për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Në fshatin Dren, ndërkohë, kanë filluar punimet për ndërtimin e stacionit të Policisë Kufitare të Kosovës – gjë të cilën popullata vendase e ka kundërshtuar me protesta.
Asokohe, Policia e Kosovës i ka thënë REL-it se qëllimi i ndërtimit të këtij stacioni është “të garantojë sigurinë e qytetarëve, të menaxhojë kufirin dhe të parandalojë kontrabandën në atë rajon”.
Pasi banorët kanë penguar vazhdimin e punimeve me protesta, Qeveria e Kosovës, në mes të shkurtit, ka mbajtur debate publike në Leposaviq dhe në Zubin Potok, ku janë dëgjuar akuza për shkelje të procedurave ligjore nga autoritetet qendrore.
Banorët, toka e të cilëve është objekt i shpronësimit, e kanë ngritur këtë çështje edhe në Gjykatën Themelore dhe atë të Lartë në Prishtinë.
Avokati i tyre, Nebojsha Vllajiq, ka thënë në debate publike se vendasit nuk mund të bien dakord për një çështje me rëndësi publike, nëse nuk u thuhet zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me lokacionin që është objekt i shpronësimit. Sipas tij, i gjithë procesi është jotransparent.
REL-i e kontaktoi Vllajiqin më 15 maj, por ai refuzoi të flasë me arsyetimin se Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e ka angazhuar, është përgjegjëse për deklaratat lidhur me shpronësimin.
Nga kjo zyrë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk pranuan të japin ndonjë deklaratë.
Përndryshe, shpronësimi në veri është kundërshtuar edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “t’i respektojnë me përpikëri procedurat ligjore lidhur me shpronësimin e pronës së paluajtshme” dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave pronësore të pronarëve.
Shqetësim ka shprehur edhe për “krijimin e bazave të Policisë së Kosovës në tokën private dhe shoqërore – në disa raste edhe para fillimit të procedurës së shpronësimit”.
Paraprakisht, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar me mesazhin se është në dijeni me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me shpronësimin, por se në këtë moment “nuk duhet shtuar benzinë në zjarr”.
Çështja e shpronësimit pason tensionet në veri të Kosovës, në fund të vitit të kaluar.
Asokohe, popullata vendase ka ngritur barrikada, me qëllim që ta pengonte Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe./Media Ndërtimi.